Gjendet i vdekur vëllai i moderatores në Kosovë, 36-vjeçari ishte zhdukur një ditë më parë, mister shkaqet

Kërkimet bënë që në mesditë, Berisha të gjendej pa shenja jete në fshatin Sferkë të Pejës.

KOSOVË– 36-vjeçari i identifikuar si Baton Berisha, vëllai i moderatores së njohur në Kosovë, Venera Berisha Morina është gjetur i vdekur në Pejë, 24 orë pasi u deklarua i zhdukur nga familja e tij.

Mediat e Kosovës shkruajnë se i riu ishte larguar nga banesa e tij një ditë më parë dhe e shoqja e shqetësuar nga mungesa e kontaktit me të, ka bërë një denoncim në polici. Kërkimet bënë që në mesditë, Berisha të gjendej pa shenja jete në fshatin Sferkë të Pejës.

“Sot rreth orës 13:00 policia është njoftuar përmes telefonit nga familjarët se personi i cili dje ishte raportuar i zhdukur është gjetur në fshatin Sferkë të Pejës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë kompetente dhe mjeku e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, ka thënë zëdhënësi i policisë në rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Pritet që mjekësia ligjore të japë fjalën e fundit për shkaqet e vdekjes së Berishës. Mediat lokale shkruajnë se Berisha rrjedh nga një familje e njohur, shumë e arsimuar dhe e urtë nga Peja. Babai dhe nëna e të ndjerit kanë shërbyer për dekada në arsim dhe vetë 36-vjeçari nuk ka pasur precedent penalë.

(f.m/Dosja.al)