FOTOT EKSKLUZIVE/ Surprizë! Pirro Çako babi më “cool” në qytet, detaje nga jeta private e kantautorit

Surprizë! Kantautori i njohur, Pirro Çako është rikthyer të dielën pas 10 vitesh në “Kënga Magjike” si anëtar jurie, për të dhënë gjykimin e tij profesional për talentet e kategorisë “New Artist”. Por surpriza më e madhe vjen me këto foto ekskluzive të kopertinës së revistës “Story”, që na prezantojnë me jetën e re të artistit të njohur, jashtë ekranit.

Pas më shumë se një viti, qëkur ai u bë baba për herë të dytë i djalit, Amadeus, ja ku e keni Pirron në versionin e babit më “cool” në qytet! Në fotot që po publikojmë për herë të parë, Pirro shihet tek kalon kohë të bukur, në një ditë pushimi me të birin dhe partneren, në oborrin e një hoteli të njohur në qendër të Tiranës.

Këto janë fotot e para të Pirros si baba rishtaz, që kur Amadeus erdhi në jetë pranverën e vitit të kaluar, kur lajmi u mbajt në fshehtësi të plotë. Por miqtë ishin ata që i nxorën sekretin muzikantit, pasi ndanë me njëri-tjetrin këtë lajm të bukur në jetën e Pirros, pasi u bë baba për herë të dytë gati 3 dekada pas djalit të madh, Anthonyt. Edhe pse s’kishte shprehur asnjëherë publikisht dëshirën për fëmijë të dytë, djali ka ardhur si bekim në këtë fazë të jetës së muzikantit.

Dhe “kurrë mos thuaj kurrë’ vlen të thuhet edhe në rastin e kantautorit, i cili po ashtu ka qenë këto vite mjaft produktiv në muzikë, ku përmendim këtu krijimet e tij në albumin ‘Çelu’ të Elvana Gjatës.

Ky titull i shkon përshtat edhe momentit të tij aktual të jetës, pasi u bë baba për herë të dytë në moshën 55-vjeçare i djalit që e pagëzoi me emrin kuptimplotë, Amadeus.

Historia e tij e dashurisë u bë publike pak kohë më parë në një darkë VIP, të organizuar në Jug nga miku i tij, Ardit Gjebrea, ku Pirro Çako kishte zgjedhur të shkonte çift.

Po kush është partnerja mjaft simpatike e artistit, e cila solli në jetë djalin e tyre tashmë 1 vjeç e gjysmë? Biondja simpatike punon kancelare në një institucion të rëndësishëm të drejtësisë në vend dhe është gati 20 vite më e re se ai. Për jetën private Pirro kishte kohë që nuk fliste, por vendosi të thoshte dy fjalë në programin ‘E diela Shqiptare’.

Gjatë drekës me Artiola Toskën dhe Mirela Milorin, vëmendjen e tërhoqi një pyetje e Blerina Bombajt, drejtuar Pirros. “A je i lidhur me ndonjë gocë? Sqaroje gjithë këtë publik, gjithë këto goca të reja beqare që janë të interesuara ta dinë”, i tha ajo. Dhe Pirro u përgjigj pa u menduar gjatë: “Njeriu nuk është bërë për të jetuar vetëm. Të gjithë kemi nevojë për dikë. Aktualisht jam në një shoqëri shumë të mirë, ndihem shumë komod, shumë mirë dhe shpresoj që të vazhdojë kjo gjë”. E tashmë duken si një familje e bukur dhe e lumtur! E duke u uruar shëndet dhe jetë të lumtur bashkë me bekimin e tyre, Amadeus, ju sjellim fotot ekskluzive që publikohen për herë të parë nga revista “Story”!

www.story.al