(Foto) Kur Shqipëria u zgjua nën rrënoja. Një vit nga 26 nëntori tragjik që i mori jetën 51 personave

Si sot një vit më parë(26 Nëntor 2019) Shqipëria u trondit nga tërmeti më i fuqishëm në dekadat e fundit. Në orën 03:56 të mëngjesit, lëkundje të fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjatën gati 50 sekonda, goditën pabesisht Durrësin, Tiranën dhe shumë qytete të tjera, duke iu marrë jetën 51 personave dhe plagosur 913 të tjerë. Pasojat e tërmetit ishin dhe vazhdojnë të jenë tragjike, pasi u prekën plot 202 mijë njerëz, me qindra shtëpi që u shkatërruan.

Pamjet e mëngjesit të atij 26 nëntori ofronin vetëm pallate, shtëpi, shkolla të shembura, njerëz që kërkonin ndihmë dhe kërkonin të dashurit e tyre, ambulanca, makina policie e ushtrie, ekipe shpëtuese shqiptare dhe kryesisht të vendeve fqinje, ndërsa të gjithë ata që i kishin shpëtuar lëkundjeve ishin duke u lutur dhe me një sy nga mediat për të parë përditësimet e fundit. Orët e para ishin vërtetë kaotike, me njerëz që luftonin nën rrënoja për jetë a vdekje, ndërkohë që të gjithë shqiptarët përballeshin me traumën e post-lëkundjeve.

Për fat të mirë nuk mungoi solidariteti i pashembullt i vëllezërve nga Kosova, fqinjve dhe miqve nga Italia, Greqia, Turqia, Franca e disa vende të tjera, që sollën jo vetëm ekipe të specializuara kërkim-shpëtimi, por edhe ndihma pafund. Solidariteti i shqiptarëve për bashkëkombasit e tyre në vështirësi solli shpresë, që nga fondacionet e bamirësisë, tek shoqatat e palodhura të emigrantëve dhe deri tek ata që nuk kishin shumë për të dhuruar, por ja hoqën vetes dhe ja dhanë njerëzve që fatkeqësisht kishin mbetur në rrugë.

Pas një viti, kujtimet e asaj nate dhe të gjithave atyre që pasuan ende nuk janë shuar, as plagët e shumë familjeve që humbën të dashurit e tyre. Durrësi dhe Tirana ishin dy prej bashkive më të mëdha që patën pasoja të rënda, por jo më pak edhe në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës e Rrogozhinës.

E nëse ka diçka që të gjithë kuptuam, përveç limiteve tona si shtet dhe problemeve të pashmangshme, ishte se jeta dhe vdekja ndahen me pak sekonda. Këto janë disa nga momentet që të gjithë ne i pamë dhe përjetuam ato ditë: