Florian Agalliu: Pesha është matematikë, si gjeta stabilitetin pasi humba 20 kg

Ai tashmë jeton si djalë kopertinash që përjeton suksesin në televizion nga njëri projekt në tjetrin.Nga fillimet e tij si aktor protagonist i serialit “Komuna e Parisit”, tek emisioni i paradites që po moderon në “Top Channel” kanë ndodhur shumë ndryshime në jetën e Florian Agalliut. Ka hequr 20 kilogramë nga pesha e tij dhe paralelisht me familjen ka ndërtuar një trup gjithë muskuj. Së shpejti do të rikthejë kamerat e fshehta në ekran, ndërkohë që pritet të sfidojë moderatorët e emisioneve sportive me një projekt të madh. Për familjen, bashkëpunimin në televizion me bashkëshorten dhe sekretin e trupit ideal, Florian Agalliu flet për “Panorama Plus”.

Zakonisht meshkujt ia varin vetes kur krijojnë familje, ty ç’të motivon kaq shumë për të jetuar si djalë kopertinash?
Unë kam abuzuar shumë me trupin përpara kësaj periudhe. Kur them abuzuar, e kam fjalën për jetën jo aktive dhe për pak alkool ndoshta. Vjen një moment në jetë që njeriu reflekton, bëhet koshient për gjërat që do të bëjë vërtet dhe merr disa vendime. Unë i kam marrë të miat dhe kam plane afatgjata. Të krijosh familjen, për mua, është starti i të jetuarit në habitatin tonë njerëzor, pas kësaj duhet të vijnë gjithë të tjerat. Kujdesi duhet të fillojë ndaj vetes dhe këtë ta reflektoj në familje. Unë përpiqem të jem shembull për time bijë, dua shumë që ta kuptojë konceptin e sportit, të jetuarit shëndetshëm apo jetës aktive. Nuk dua t’ia imponoj, thjesht dua që t’i vijë natyrshëm…

Florian-Agalliu-2

Sezonin e kaluar kishe partnere Anjeza Majën, ndërsa këtë sezon Stela Kotrin. Çfarë kujton nga puna me brunen dhe si po të shkon partneriteti televiziv me bionden nëse do krijonim një antagonizëm sipërfaqësor?
Nuk dua absolutisht t’i etiketoj në këtë formë, sepse kemi abuzuar shpesh me barsaleta ndaj bruneve dhe bjondeve (Qesh). Anjeza mbetet një shoqe shumë e mirë, e kujtoj shpesh për batutat që bënte dhe seriozitetin në punë. Stela është vajzë solare, gjithmonë në humor të mirë dhe gjithashtu bashkëpunuese. Nuk dua kurrsesi të vendos shenjën e krahasimit. Të dyja të veçanta!

Duke iu referuar rubrikës që drejtoje brenda emisionit “E diell”, çfarë mund të thuash për femrat, në ç’aspekt ju dominojnë ju meshkujve?
Nuk besoj se na dominojnë. Edhe për pak kohë jemi paralel. Po nuk do të jetë e largët dita që do të na parakalojnë… Jam i lumtur që emancipimi i femrës në Shqipëri po ecën me ritme të mira. Sigurisht që jam pro barazisë gjinore, madje me të drejta të plota… Femrat bëjnë aq shumë për shoqërinë, për familjen saqë ndonjëherë kur vras mendjen, nuk e kuptoj pse rendi është mbrapsht…

Florian-Agalliu-3

Në programin e paradites që moderon aktualisht, autore është bashkëshortja, Renisa Shabani. Si është të kesh shefe gruan?
Kjo na bën që në shumicën e rasteve të punojmë më fort për të arritur rezultate… Asnjëri nga ne nuk e do dështimin e tjetrit. Në këtë formë puna është e lidhur zinxhir. E ndihmoj, më ndihmon. Ua sugjeroj dhe atyre që nuk e bëjnë, ta provojnë, sepse do të jenë më të suksesshëm…

Në punë kolegë dhe në shtëpi prindër të vajzës suaj. Po për romancë kur dhe si gjeni kohë?
Lajmi i mirë është që vajza ka filluar shkollën, ka dhomën e saj dhe ka filluar të flejë herët, se nuk zgjohet në mëngjes. (Qesh)

Duke qenë të dy pjesë e televizionit, do ta angazhoni vajzën tuaj që tani në televizion apo do e mbani larg?
Mia e ka ndarë mendjen që do të bëhet doktoreshë, por duke parë qasjen që ka filluar të ketë me televizionin mendoj se do ta dashurojë televizionin. Është tip i ftohtë, me karakter të palëkundur. Premisat, sipas meje, i ka për “talk show” politik.

Florian-Agalliu-4

Ke provuar shumë formate nga ata të kërcimit e deri te kuzhina. A mund të na zbulosh ëndrrën më të madhe që ke për ta konkretizuar në ekran?
Ëndrra ime më e madhe dhe që e kam të hedhur në letër është një “show sportiv”. E kam të qartë çfarë dua të bëj dhe e dashuroj atë punë. Nuk do të jetë e largët dita që do të finalizohet. Thjesht, duhet pak kohë. Por përpara do të vij në ekran me një super format, të cilin e kemi punuar më shumë qejf, do të jetë një show argëtues me kamera të fshehta, ku në qendër ka një individ për të cilin luajnë 30 aktorë. Nuk është bërë asnjëherë më parë, është një ide krejt e re dhe do të vijë ekluzivisht në “Top Channel”, shumë shpejt!

Nga një aktor teatri me xhepat bosh, në një moderator televiziv me xhepat plot. Çfarë të bën të kthehesh te dashuria e parë?
Kush tha që i kam plot? Ndoshta shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se çdo të thotë të jesh i detyruar të bësh një punë që nuk ka qenë zgjedhja jote e parë, sidomos në pjesën e artit. Unë kam studiuar aktrim, por duke pasur parasysh situatën e vështirë që ka kaluar dhe po kalon teatri, apo filmi apo pjesa e kulturës në përgjithësi, është e pamundur të jetosh. Është si t’i thuash një klarinetisti bjeri kitarës. Unë u bëra kohë që e bëj stazhin në televizion dhe mendoj se po natyralizohem dalëngadalë, por zgjedhja ime e parë gjithmonë do kishte qenë skena e teatrit.

Florian-Agalliu-1

Meqë fiziku yt flet shumë për një regjim strikt. Sa kilogramë ke humbur në këto vite dhe cila është dieta jote ditore?
Kam lëvizur shpesh me peshën, por më e shumta që kam humbur kanë qenë 20 kg! Tani besoj se trupi ka gjetur stabilitetin, të mesmen e artë dhe nuk po lëviz dhe aq shumë. Unë nuk jam tip dietash, ata që më njohin e kuptojnë mirë për çfarë po flas. Dreka ime shkon në 5 pjata, sallatë, perime të ziera, oriz, mish, makarona, gjellë shtëpie… Pesha është matematikë, merr 5 kalori harxho 5 dhe je në rregull. Por nëse merr 100 dhe nuk lëviz as gishtin, atëherë me kalimin e kohës do shkosh mbipeshë. Nëse do të duhej një këshillë për ta mbyllur: dëgjoni trupin, konsumoni produkte të stinës, ruhuni nga sheqeri dhe brumërat apo ushqimet e konservuara. Bëni pak sport, gjejeni atë që ju pëlqen! Nuk është e thënë patjetër palestër. Duhet të lodheni sa ta gjeni, por të jeni të sigurt që do të jetoni në paqe dhe të shëndetshëm për pjesën e mbetur të jetës!/Panorama Plus