Eugent Bushpepa ja plas pas fitores: Artistë të paftuar reklamojnë lajme të rreme duke ma penguar rrugëdaljen


Këngëtari Eugent Bushpepa, i cili fitoi Festivalin e Këngës në RTSH me krijimin “Mall”, ka shkruar një status të gjatë 24 orë pasi kupa u bë e tij. Artisti që këtë garë e fitoi si kantautor, do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian. Me poshtë statusi i plotë që Bushpepa publikoi në facebook, ku duket se në mënyrë filozofike lë të nënkuptohen disa të vërteta rreth konkurrencës së egër me muzikantëve shqiptarë:
Mësohesh me mbyllje shtigjesh dhe goditje bërrylash. Bën paqe me to dhe i lë gjërat të rrjedhin duke ushqyer dilema mbi ekzistencën tënde si artist. Befas një dritë në horizont e lënë ndezur nga dikush enkas për mua për zbulimin e një shtegu të ri nis dhe më ushqen një tjetër ndjenjë, atë të mbivlerësimit. Mos vallë jam mbivlerësuar dhe prandaj u la ndezur? Mos vallë zymtësia që ushqehej nga katrahura e vështirë artistike që më rrethon do më çojë deri në verbim dhe rrugën do e humbas sërish?
E kam të vështirë ta shpjegoj unin.
Që ta bëj do më duhet të dal jashtë tij dhe unë akoma po i eksploroj labirinthet e tij në gjetjen e një rrugëdalje.
Si për dreq, këto labirinte koshience shpesh më popullohen nga artistë të paftuar që vazhdojnë të zhgarravisin muret e këtyre rrugëve të mia me grafite pa sens, m’i ndyjnë akustikisht me megafonë të shurdhuar që reklamojnë lajme të rreme duke ma penguar akoma më shumë gjetjen e rrugëdaljes.
Mbrëmë si rrallë kohët e fundit pranova që ajo dritë e lënë ndezur për mua të më drejtojë qetësisht drejt shtegut të ri dhe tashmë jam i gatshëm dhe me vullnet që të eksploroj sërish.
Ajo dritë ndriçon aq shumë saqë arrij të shoh se rruga që vazhdon pas saj mbart plot sfida por ndihem i fortë t’u bëj ballë falë mbështetjes së fytyrave të bukura që më shoqëruan deri tek kjo dritë, në këtë fillim rruge të re, duke kënduar një zëri me mua tinguj dhe fjalë që dikur buruan nga shpirti im.
Rruga është akoma e gjatë, por do e zbuloj ndryshe me ndjesinë e re që më dhuruat.
Jam mëse i lumtur.
Faleminderit njerëz me shpirt të bukur!
Gjithashtu, Faleminderit RTSH!