Ervin Zyfi i “Big Brother”: 30 vjeç në SHBA, si bëra realitet ëndrrën për karrierë ndërkombëtare
Njihet si modeli shtatlartë i “Big Brother”, i cili prej muajsh ka lënë Shqipërinë për një karrierë kinematografike dhe modelingu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ervin Zyfi sapo festoi 30-vjetorin në tokën e ëndërruar dhe thotë se ndihet shumë i lumtur që është në vendin e duhur, në momentin e duhur dhe me projektet e duhura. Për jetën e re dhe planet për famë ndërkombëtare Ervini rrëfehet në këtë intervistë të parë për “Panorama Plus”.
Së fundi, shohim që poston shpesh foto nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Cila është jeta jote e re që po bën jashtë dhe angazhimet e tua atje?
U bë pak kohë që unë jam vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më duhet ta pranoj që çdo gjë është shumë ndryshe këtu. Amerika të ofron mundësi që në vendin tim, fatkeqësisht, nuk pata mundësi t’i zhvilloja. Eksperienca më ka vlejtur, sepse po korr sukses edhe këtu. Sigurisht, imazhi është gjysma e suksesit, më pas edhe përkushtimi dhe energjia e duhur për projekte të reja, më duhet të jem shumë vigjilent për të kuptuar dhe zgjedhur vërtet atë që unë bëj më së miri. Pa diskutim që si çdo i ri edhe unë jam i përshtatur me rrjetet sociale dhe shpesh postoj foto nga vendet që vizitoj. Më pëlqen ky vend me të gjitha resurset e tij, me nivelin e mirë të jetesës, por mbi të gjitha për shanset e mira që të ofron.
Para largimit deklarove se do të jesh pjesë e një projekti kinematografik. Mund të na zbulosh ndonjë detaj?
E vërtetë, kam një projekt shumë të mirë, i cili pritet të finalizohet në muajt në vijim. Për momentin, vetëm kaq mund të zbuloj.
30-vjetorin e festove në SHBA. Si u ndjeve në këtë përvjetor dhe si e festove?
I lumtur padyshim që ky 30-vjetor më ka gjetur ashtu siç kam dashur për kaq shumë vite, me projekte, i angazhuar dhe mbi të gjitha ashtu siç e kam ëndërruar dikur. I lumtur që tani planet e mia janë në veprim.
Shpesh të shohim që poston shumë foto pushimesh plazhi. Bën më shumë qejf sesa punë?
Më pëlqen deti, më frymëzon në punën time dhe më duket të mendohem thellë përpara tij. Deti madhështor më çlodh dhe reflektoj mbi punën time. Jeta në SHBA është shumë e mirë. Të duhet të njohësh mirë vendet, situatat dhe çdo eksperiencë e re të mëson më shumë. Sa për punën, kam shumë projekte dhe shumë oferta të tjera njëkohësisht. Jam në një situatë që po merrem me veten time, me fizikun tim. Dua që kur të marr diçka përsipër, ta realizoj ashtu siç duhet, për të hapur rrugë dhe për të krijuar besim te të tjerët për projektet në vijim.
Si një model, ke marrë ndonjë ofertë për të pozuar për ndonjë markë ndërkombëtare?
Sigurisht që kam pasur. Fati im që Zoti më ka atribuar të gjitha cilësitë e një mashkulli për t’u marrë shembull nga të tjerët. Sigurisht që të huajt e vlerësojnë shumë marketingun dhe imazhin. Më duhet ta pranoj që pamja është vetëm impakti i parë, pasi pas saj qëndron një punë kolosale.
Provove eksperiencën e bashkëjetesës më të panjohur në reality show-n “Big Brother”. Çfarë shije të ka lënë ajo shtëpi?
Sa për eksperiencën e bashkëjetesës, ne në Shqipëri bashkëjetojmë, pra nuk ishte diçka e re në këtë gjë. Ajo që vlen të them, që shumë show televizive në Shqipëri i shfrytëzojnë aktorët që zgjedhin për të bërë show. Personalisht, mendoj që nëse vërtet duhet të realizohen ato, duhet të zgjedhin një skenar të mirëmenduar, jo kështu.
Fama në Shqipëri për çfarë të shërbeu dhe si i kishe marrëdhëniet me femrat pas daljes nga loja?
Gjithmonë kam pasur marrëdhënie të shkëlqyer me të gjithë, si më femra ashtu edhe me meshkuj. Famën e kam pasur edhe para se të isha pjesë e show-t televiziv. Sigurisht që fama u shtua me hyrjen në atë shtëpi, por mua më shumë se fama më ka shërbyer eksperienca.
E tani je në vendin që e lakmojnë të gjithë, cilat janë ambiciet e tua të mëdha në Amerikë?
Jam shumë i lumtur që jam në vendin e duhur, në momentin e duhur dhe me projektet e duhura. Ambiciet dhe sfidat do të jenë gjithmonë më të mëdha pas çdo eksperience.
U fol se ke nisur një histori të re dashurie në SHBA. Ç ‘mund të thuash për vajzën që ke krijuar lidhje?
Mendoj se disa gjëra duhet të mbeten private. Vërtet është shumë e lodhshme kur media insiston të zbulojë jetën tonë private. Preferoj që të interesoheni më shumë për jetën tonë profesionale!