Ermal Meta rrëfehet në Tiranë: Vetëm Jezusi lind i famshëm, jam rritur me duart në punën e zezë, dhe mendjen diku tjetër
Kantautori shqiptar, Ermal Meta ka zbuluar në një konferencë për shtyp në Tiranë sekrete nga jeta e tij personale e ashtu profesionale. Nga punët e para që ka bërë kur ka emigruar në Itali e deri tek pjesëmarrja në “Eurovizion”. I pyetur nga fëmijët e pranishëm në konferencë se çfarë punësh ka bërë para se bëhej i famshëm, ai përgjigjet: “Nuk lind njeri i famshëm, vetëm Jezusi ka lindur i famshëm. Si gjithë shqiptarët në Itali, kam bërë punë të ndryshme. Kur isha 14 vjeç shisja gazeta te semafori, e nuk i shtypnin mirë e nuk kushtonin shumë. Nuk e kisha kuptuar dhe kur prekja fytyrën bëhesha sterr i zi. Mamaja ime kur kthehesha në shtëpi më pyeste: Ku ke qenë? I thosha: Në punë. Nuk është e vërtetë, thoshte, je sterr i zi. Shes gazeta. Si është e mundur, të janë bërë dhe duart sterrë, thoshte. Pastaj filloi të më besonte pak nga pak. Kam bërë shumë punë, kamarier, barist, kam ngritur shumë pjata, kam bërë shumë stërvitje”. “Por duart ishin atje se mendja ishte gjithmonë në vend tjetër. Çfarëdo eksperience unë e derdhja në muzikë. Çdo njeri që takoja për mua ishte një histori. Çdo njeri ka historinë e vet, e ka brenda, mund t’ia lexosh pak në sy por nuk arrin ta kuptosh. Dhe unë kur nuk e kuptoja, e shpikja dhe pastaj e shkruaja. Kështu fillova të shkruaj këngë. E ndjeja atë urgjencën e kreativitetit. Në fillim luaja në piano, kitarën nuk e llogarisja fare”, shtoi Ermali, sipas Panorama.
Ke shkruar këngën “Vietato Morire” kushtuar babait, çfarë mund të thoni?
Arti, muzika në veçanti është shumë arrogantr, nuk kërkon leje. E kështu vjen kënga. Çdo herë që kam shkruar një këngë nuk kam marrë parasysh publikun, por vetëm se i bëj për vete.
Neve na ke munguar, po ne juve, Shqipëria?
Shqipëria më mungon çdo ditë, nga ana e gjuhës, zakoneve, ndjenjave, dje kur erdha me dukej vetja si i dehur. Fakti qe dëgjoja gjuhën time më dukej diçka e vërtetë. E mesa e kuptoni e kam humbur pak praktikën e gjuhës, por jo të zemrës.
Çfarë mesazhi jep kënga që fitove “Sanremo” dhe more pjesë në Eurovizion “Non avete fatto niente”?
Nuk ndalon luftën, por sensibilizon. Gjithë njerëzit nuk mendojnë se jeta e tyre do të mbarojë një ditë. Edhe më të këqijtë sikur të kishin menduar se jeta e tyre nuk është e pafundme, do ishin sjellë ndryshe. Jeta kërkon gjithmonë jetën, nuk kërkon gjë tjetër.
Ke menduar të bësh një projekt muzikor me një këngëtar shqiptar?
Tani për tani jo, por do më pëlqente.
Keni qenë 3 shqiptarë në “Eurovizion”? Çfarë eksperience ishte?
Ishte nje event i rrallë që ishin 3 shqiptarë në Eurovizion. Eugenti ka zë të mahnitshëm, nga të tre, ishte ai që këndoi më mirë. Ju falënderoj për pikët që më dhatë. Më erdhi turp nga Italia dhe të them të drejtën kam bërë një gjysmë sherri për këtë.
A je krenar që je shqiptar?
Është pyetje me përgjigje shumë të thjeshtë: Jam shumë krenar që jam shqiptar, madje do shtoja se një fëmijë nuk e zgjedh dot ku lind, por nëse do të lindja prapë, do zgjidhja të lindja këtu.
Nëse do bëje këngë për Shqipërinë, çfarë titulli do i vije?
“Dolce terra mia”.
Do provonit të këndonit anglisht, të hynit në tregun anglez?
Nuk e di, nuk është gjuha ime. Shqip po, anglishten ka shkruar disa gjëra, e flas edhe mjaft mirë. Por të këndosh është diçka tjetër. Unë kur shkova në Itali, mendoja se e dija italishten por në fakt nuk dija asgjë dhe e mësova nga e para. Tregu anglez është i mbushur me shumë gjëra, nuk ka nëvojë për mua, e as unë për atë.
Cila është motoja e jetës dhe çelësi i suksesit? Po për Tiranën çfarë mendon?
Motoja është “këmbët në tokë e kokën në ajër, unë duhet të jem shumë i gjatë. Nuk jam, por e mendoj. Para 3-vitësh kam qenë në Tiranë por për pak kohë dhe nuk e vizitova siç duhet. Në ‘92-shin kam qenë tamam. Tirana më pëlqen shumë. Kam qenë në rast të hidhur, edhe atëherë e shihja me syrin e errësirës. Por kësaj here sikur i shpërlava sytë.