Ermal Meta jashtë “Sanremos”? Mësoni ultimatumin për kantautorin shqiptar
Ermal Metës “nuk i bëhet asgjë”, dhe “Non mi avete fatto niente” vazhdon garën e “Sanremo-s”. Pas pezullimit të kantautorit shqiptar dhe Fabrizio Moros nga Festivali i “Sanremos”, drejtuesit kanë dhënë ultimatumin e fundit. Pretendentët e Festivalit të Sanremos janë lejuar të qëndrojnë në konkurrim, pas pezullimit të përkohshëm në vazhdën e polemikave që vërshuan për këngën e tyre me titull “Non mi avete fatto niente”. Pas vlerësimeve të kryera, “Rai” ka dalë në përfundimin se kjo këngë nuk ka përse përjashtohet nga konkurrimi, thuhet në faqen online të gjigantit mediatik italian. Zyra ligjore e tij shpjegon se, pjesa përmban vërtet disa fragmente nga “Silenzio” e prezantuar në edicionin e “Sanremo”-s për të rinjtë të vitit 2016, por ato janë në përqindje më të ulët sesa një e treta e saj, që do të thotë se rregullorja e Festivalit nuk shkelet. Ndërkaq nga verifikimet e thelluara rezulton se kohëzgjatja, teksti dhe meloditë e të dyja këngëve janë të ndryshme. Pra e thënë qartë përderisa ngjashmëria nuk kapërcen 1 minuta e 3 sekonda në një këngë që zgjat 3 minuta e 24 sekonda, atëherë nuk konstatohet shkelje. Shkaku i përngjasimit në thelb ishte shumë i thjeshtë: autori i të dyja këngëve është i njëjti person, Andrea Febo. Pikat e përbashkëta gjendeshin si në tekst, ashtu edhe në melodi, por në këtë rast fakti që kënga është krijuar nga e njëjta dorë përjashton plagjiaturën. Problemi qëndronte tek fakti që publiku e kishte dëgjuar më parë, gjë që nuk lejohet, ndaj lindi nevoja e një verifikimi të detajuar.