EKSKLUZIVE/ RRËFEHET KRIJUESI I HIT-EVE, ENDRIT MUMAJESI (MUMA): PSE KAM ZGJEDHUR TË JEM I HESHTUR MES KËSAJ ZHURMNAJE MEDIATIKE!

E quan veten rob të lirë të fantazisë së tij krijuese, sepse në çdo project bën çfarë ndjen të bëjë. Dhe “Qe, qe”, ja ku e keni Endrit Mumajesin, autorin e hit-it të këtij viti të Taynës, që i drejtohet dashurisë me përulësinë e dorëzimit, por edhe me dozën e ironisë. I prezantuar në muzikë me emrin e artit Muma, ai rrëfen sekretet e jetës që bën larg vëmendjes publike si krijuesi i heshtur i natës, pasi zhurmën e bën suksesi i këngëve të tij hit. Me dy anët e medaljes si Dirty mind & beautiful heart, në këtë intervistë të parë për kopertinën e revistës “Story”, Muma rrëfen historinë e patreguar të talentit nga Tirana, që drita në fund të tunelit ishte shkëlqimi i yllit të tij…

Nga Klotilda Harka

Endrit Mumajesi, njihesh në muzikë me emrin e artit, Muma. Pse ke zgjedhur të qëndrosh deri tani i mistershëm larg intervistave apo shfaqjeve televizive?
Sepse kur je i ri në rrugëtimin muzikor s’ke çfarë thua veç prezantimit të vetes, dhe ëndrrave për të ardhmen. Kështu që kam zgjedhur të jem i heshtur, dhe suksesi të bëjë zhurmën!

E vërtetë që jeni kushërinj me Flori Mumajesin, pasi shumë ndjekës pyesin nisur nga mbiemri i njëjtë, dhe fakti që ke qenë pjesë e “Threedots”?
Me Florin jemi kushërinj të tretë. Por është me periudha, ndonjëherë jemi vëllezër e ndonjëherë kushërinj, ndonjëherë asgjë. (Qesh)

Forca e vërtetë që zotëron ti, qëndron në mendjen apo shpirtin tënd? Nëse hyjmë në filozofi ekzistencialiste, ti shkruan për t’u ndjerë sa më i lirë në botën absurde, apo shkruan për t’u bërë rob i fantazisë tënde?
Tashmë unë jam rob i fantazisë sime. E gjithë dita, javët, muajt, ikin duke menduar projektin e rradhës. Por jam një rob i lirë në fantazinë time, sepse në çdo projekt bëj çfarë ndjej të bëj. Dhe faktit pse shkruaj, e lidh me dashurinë, me një shprehje: “Ti e do dikë, kur nuk e di pse e do!” Edhe unë saktë s’e di pse shkruaj, por në fund DUA.

Ke hyrë në terrenin e muzikës me “Një jetë me ty” dhe Vedat Ademin për të prekur telat e të gjithëve me hit-in e këtij viti “Një herë në jetë” dhe Dafina Zeqirin. Kur ulesh dhe shkruan për dashurinë, janë vargje për veten apo për të tjerët?
Deri tani vetëm për të tjerë.

E ke nisur rrugëtimin me muzikën që kur ishte 15-vjeç. Si i kujton këto vite, i ke përjetuar si udhëtimi në një tunel të errët në kërkim të dritës në fund të tij, apo diçka vërtet e vështirë por mahnitëse?
E kam përjetuar si udhëtim në një tunel të errët në kërkim të dritës në fundin e tij, sepse gjithmonë jam hasur me indiferencë, mosmirënjohje, mohim vlerash si dhe vepra të miat që dalin në emër të dikujt tjetër. Do të doja të ishte ndryshe! Por ja që muzika në këtë vend, jeta muzikore nuk është ashtu siç duket, dhe në televizion dalin shumë artistë, por në të vërtetë jashtë kamerave, jashtë këngëve artistë pothuajse nuk ka. Janë pothuajse inegzistentë.

Mund të të konsiderojmë me bindje talentin e hit-eve, duke qenë se lista e këngëve të famshme që kanë autorësinë tënde është e gjatë. A ekziston një formulë apo sekret profesional se si të bësh një këngë që ajo të dëgjohet kudo në makinë apo bar, në vetmi apo me njerëz?
Deri diku dhe ka, sepse ka teknikë logjike në zhvillimin e këngës dhe vargjet që përdor duke menduar si do i ndjejë masa më e madhe e njerëzve. Pra s’është çdo gjë vetëm frymëzim, por dhe e paramenduar. Kjo teknikë nuk është e suksesshme, nëse kënga nuk ka veçanti dhe shpirt të bukur. Një material i mirë të frymëzon, dhe në fund mund të bësh editimet logjike. Pra nis me frymëzim, fundi është formulë dhe eksperiencë.

Nuk mund të lëmë pa përmendur hit-in e vitit “Qe,qe”, dhe Taynën. Mund të na tregosh si lindi kjo këngë dhe ky bashkëpunim?
Po luaja playstation, dhe bëra pauzë se më erdhi melodia e refrenit bashkë me tekst nga hiçi, dhe e regjistrova me “voice recorder”. Shkova në studio, hodha idenë dhe ia prezatova Cricketit, e më pas Tayna e pëlqen shumë si demo dhe niset kënga.

“Qe, qe” tingëllon si dorëzim i plotë dashurie ku i drejtohesh palës tjetër me zemrën në dorë. Kur e krijove, po imagjinoje njerëz duke kërcyer, apo të përlotur më këtë melodi e vargje?
“Qe qe” është po aq sa dorëzuese dhe ironike, sepse ka gjëra që na i falin, po s’kemi guxim t’i marim sepse u stepemi përgjegjësive. “Qe, qe”, është dhe dorëzim kundrejt një nënteksti “Qe-Urdhëro, ama më duaj!”.

Kur krijon muzikë, të frymëzon më shumë e mira apo e keqja, lumturia apo dhimbja, fitorja apo humbja?
Nga fillimi më ka frymëzuar e keqja, dhimbja dhe humbja. Lumturia është një mrekulli dhe mrekullitë nuk ndodhin tek të gjithë. Ka shumë histori dashurie, të cilat dhembin, dhe të lumtura shumë e shumë më pak, sepse dhe ato të lumturat me shumë siguri thellë tyre fshehin një histori lëndimi në krahun tjetër. Kështu që fatkeqësisht më frymëzuese është dhimbja, sesa lumturia!

Ç’e ngazëllen shpirtin tënd, kur ke para vetëm një letër të bardhë mbi të cilën duhet të hedhësh fjalët e duhura?
Më ngazëllejnë shpirtrat e bukur e të sinqertë, zemrat e pakta që duan pa kushte!

Këtë edicion merr pjesë në Festivalin e Këngës. Është fitorja e një kupe të tillë ambicia jote që mund të të çojë në Eurovizion?
Dëshirë do të kisha, por nuk pretendoj asgjë nga asnjë kompeticion sepse kam mbi 100 këngë të suksesshme jashtë kompeticoneve dhe akoma asnjë çmim të parë. Duhet të mundohem më shumë! (Qesh) E dimë para kompeticioneve se kush do e fitojë, ndaj dhe kompetiocionet tona kanë 1,2 makasimumi 3 “big name”, dhe të gjithë artistët në tentativë për t’u bërë “Big”, që pretendojnë veç skenën.

Mes këtij rrethi muzikantësh, kush janë miqtë e tu më të afërt me të cilët shkëmben ide për sa i përket artit?
Miq që shkëmbej ide janë të paktë. Mund të përmend Vani Gjuzin, “2 Step”, Bledin e “BBF” televizion, Cricket, Irkencin. Miq muzikantë kam plot, por idetë personale e planet i diskutoj me personat më të ngushtë.

Të kemi parë edhe në klipe me Genta Ismajlin dhe Fjolla Morinën. Bashkëpunimi i rradhës me kë do të jetë?
Nuk e di akoma, sepse akoma s’kam asgjë gati për veten!

Je rritur me muzikën, po mund të zbulojmë se kush janë personat që kanë influencuar tek ty si artist?
Infulenca më e madhe e imja në muzikë është Eminem. Mora botën e tij e përzieva me shpirtin tim, ndaj në tekstet e mia, në logjikën e vargjeve ka shumë ironi. Më pas Florin, të cilin e kam parë si objektiv frymëzimi dhe shembull.

Këngët e tua që ke vërtet përzemër?
Këngët më përzemër nuk mund t’i ndaj dot, sepse dëgjoj shumë lloj rrymazh. Muzika është e pafundme, dhe ka shumë bukuri në të që s’i ndan dot!

Përveç muzikës cilat janë disa hobe të tua jashtë saj?
Hobet e mia janë palestra dhe futbolli.

Kur je i lodhur nga muzika, mënyra që zgjedh për t’u shlodhur?
Me sport. Asgjë tjetër s’më shlodh!

Nëse do të ishte aktor kryesor në një film, si do të ishte roli që do të shkonte përshtat me tipin tënd?
Van Dami. (Qesh)

Je krijues i ditës apo i natës, dhe mendon se për të nxjerrë në dritë krijime të bukura duhet që njerëzimi të jetë në gjumë dhe bota në heshtje?
Krijues i natës. Në zhurma s’e dëgjon dot veten!

Ndjesia jote kur sheh tek zbardh dita, dhe ti je ende në studio?
Ah, kur do bëhemi njerëz! (Qesh)

Përjetimi më i fortë që ke provuar?
Përjetimi më i fortë ka qenë në shesh duke u luajtur këngët e mia, dhe njerëzit të gjithë në kor këndonin tekstet tek i dinin përmendësh.

Imazhi apo pamja më e bukur që të kanë para sytë?
Imazhi me i bukur që më kanë parë sytë është ardhja në jetë e nipit tim.

Nëse sheh në bar një djalë dhe një vajzë që rrinë vetëm me sytë nga smartphone, si mund të niste një tekst i yti?
Rri vetë shumë në telefon sa më tërheqin shpesh vëmendje duke më thënë: “Ngele në telefon!” kështu që s’kam gojë të flas!

Kujt mund t’ia lije në dorë kartën e besimit tënd, dhe ç’është pabesia për ty?
Besimin tim askujt. Pabesia është maksimumi i lëndimit ndaj dikujt!

Ç’të deh vërtet, por që s’është alkool?
Më deh dëshira për të bërë një këngë të bukur!

Ti para Zotit, si do e përshkruaje veten?
Para Zotit, mosmirënjohës sepse nuk e falenderojmë dhe madhërojmë mjaftueshëm! E humbas kohën me egot e jetës, ndaj e vërteta është që karshi Zotit kam mangësira!

Nëse ekziston Ferri dhe Parajsa, a dëgjohet muzikë atje dhe çfarë lloj muzike?
Besoj se Ferri dhe Parajsa egzistojnë. Por andej s’ka muzikë, as koncerte. (Qesh)

Mund të të konsiderojmë “Dirty mind & beautiful heart”, dhe si mund të na e shtjellosh më shumë?
I jetoj të dy paralelisht. Shkruaj, kompozoj dhe padiskutim që jam detajist, kështu i kam dhe i jetoj të dyja.

Nëse do të të kërkonim disa vargje për veten, si mund të ishin?
Akoma për të thënë!

A ke një story për të rrëfyer për “Story”, e që ndoshta të erdhi në mendje duke iu përgjigjur kësaj interviste?
I tregova të gjitha, me kohën do kemi plot “story” për të treguar!

www.story.al