EKSKLUZIVE/ Rrëfehet CAPITAL T, nga milionat tek dashuria

Me shpirt të bukur, mendje të ndritur dhe fizikun e gdhendur si skulpturë, CAPITAL T ju flet nga maja ku ka arritur në muzikë. Ylli i momentit rrëfen gjithçka nga jeta që shihni e nuk mundeni ta shihni në 15 vite në skenë, kohë kur muzika e tij kapërceu kufijtë hapësinorë për t’u shndërruar në hite pa limite. Në këtë intervistë ekskluzive për kopertinën e revistës “Story”, ai tregon se çfarë e frymëzoi për të krijuar gjatë ditë-netëve reflktuese të karantinës, albumin e tij të katërt “SKULPTURË”, që do të lançohet më 1 Tetor, e pritet të dalë  në treg në të gjitha platformat dixhitale. Për jetën e tij të vërtetë larg muzikës, sekretet e suksesit e fitimeve nga muzika, dhe anën tjetër të medaljes së famës ai i zbulon për kopertinën e “Story”.

Nga Klotilda Harka

Trim Ademi, Capital T apo True Kapo, si do të doje të të flisnin privatisht?

Familja dhe miqtë më thërrasin Trim, por për mua njëjtë sido që njerëzit ndihen të më thërrasin!

“Flawless”, një nga këngët e tua mjaft të bukura të këtij viti. Kush vajzë do i meritonte realisht ato fjalë të zgjedhura të dedikuara nga një djalë si ty?

Kënga “Flawless” është dedikim për të gjitha femrat e bukura, punëtore të forta e të sukseshme nëpër botë, prandaj të gjitha e meritojnë, këtë këngë.

Capital T dikur me disa kilogramë më shumë dhe sot me një fizik të adhurueshëm, të gdhendur si në skulpturë, ashtu si titullohet dhe albumi yt i katërt. Rituali yt për të arritur këtë formë duke qenë se para ca kohësh postoje dhe video nga shtëpia, që nisnin me përgatitjen e mëngjesit?

Ushqimi i shëndetshëm, përkushtimi e puna e madhe në ushtrimet e mia janë rituali im. Për të gjithë ata që më ndjekin nga afër dhe më njohin e dinë që ka vite që unë ushqehem shëndetshëm. Po ashtu jam shumë i përkushtuar në ushtrime, më pëlqen noti dhe vrapimi në natyrë kur jam më i lirë, por rralls hers i anashkaloj ushtrimet ditore.

Meqë jemi tek “Skulpturë”, mund të na tregosh frymëzimin për secilën këngë shkruar gjatë karantinës. Si do e përshkruaje këtë album që do të publikohet më 1 Tetor në gjithë platformat dixhitale?

Koha e izolimit ka qenë kohë e reflektimit, po ashtu e pushimit dhe me që kemi profesionin që mund ta ushtrojmë në kushte shtëpie ishte edhe e punës. Unë vetëm se kisha filluar para pandemisë punën për albumin tim të katërt ”SKULPTURË”. Isha shumë i inspiruar e frymëzuar, por edhe e gjithë kjo situatë i shtoi edhe një dozë inspirimi. Por albumi ka shumëka, dhe frymëzimet vijnë nga gjithçka.

Jeton i vetëm në apartametin e dizenjuar gjithë shije, po kur do të vijë momenti ta ndash shtëpinë me dikë duke nisur bashkëjetesën?

Nuk mendoj që bashkëjetesa apo martesa kanë një moment të caktuar apo moshë kur duhet të ndodhin. Ato ndodhin në momentin që e ndjen, që je i gatshëm t’i marrësh ato përgjegjësi edhe e ke personin e duhur që ta ofron dashurinë, dhe që i tejkalon të gjitha për ty.

Nëse do të flisnim për Majk dhe Ledrin Vulën, cilin ke më shumë shok, dhe sa e mundur është të bëni një këngë të tre?

Të dy i kam miq shumë të mirë. Në këtë jetë gjithçka është e mundur! (Qesh)

Nga duetet që ke realizuar deri tani, cilin emër do të veçoje si më afër tipit dhe stilit tënd dhe atë krejt ndryshe nga ty?

Me të gjithë artistët që kam bashkëpunuar deri më sot, besoj i përafrohen stilit tim nisur nga fakti që kemi vendosur të bashkëpunojmë. kemi bashëkpunime dhe projekte bashkë, egziston një përafrim i shijeve dhe stilit. Ndërsa bashkëpunimet më të mira natyrisht i kam ato me dajën tim 2po2.

Cila është jeta jashtë klipeve të një reperi tashmë në majë të piramidës së famës si ty. Mund të themi se bën jetën e një djali të mirë apo djali të keq?

YIN-YANG!

Ç’ndjesi përjeton kur mendon shifrën 30 në moshën tënde. I ke vënë synime vetes që mund t’i kesh arritur në atë përvjetor?

Si karakter jam vizionar. I vendos qëllimet dhe objektivat e mia dhe i mas me pas rezultatet e arritura. Deri më sot unë kam arritur synimet e mia para moshës 30-vjeçare.

Shpesh je komentuar për luksin në të cilin jeton. Sa është kapitali që ke vënë deri tani, dhe e konsideron veten milionerin e muzikës shqiptare?

Milioneri i muzikës shqiptare më bën dashuria, pëkrahja dhe komentet e mira që marr çdo ditë nga njerëzit. Ndërsa gjërat materiale janë vetëm materiale, dhe të tilla do të mbesin!

Shumë këngë këtë vit nga ty. Të pushtosh tregun e muzikës është punë, talent apo fat?

Pak talent, por shumë punë e madhe e përkushtim.

Ka pasur momente kur je dorëzuar në biznesin e muzikës dhe pse?

Deri më sot jo!

E synon tregun ndërkombëtar, dhe me cilin artist të famshëm do të mund të shohim në një duet?

Dëshira ime është që muzika shqipe të dëgjohet anë e mbanë botës. Nëse këtë e quani synim ndërkombëtar atëherë po. Përndryshe më mjafton vetëm tregu ynë jamë shumë i lumtur kët! Sa u përket bashkëpunimive kam disa në albumin e ri. Por do ketë edhe në të ardhmen.

Capital T: Dashuria ekziston, edhe unë kam përjetuar flutrat në stomak

Më mirë një dashuri të madhe për gjithë jetën, apo shumë aventura që ia vlen të mbahen mend?

Dashuria e madhe.

Je aq shpirt i lirë sa të mos e kufizosh veten me statusin “i martuar”?  

Nuk e shoh martesën si kufizim. E thashë edhe më heret martesa ndodh në momentin që e ndjen që je i gatshëm t’i marrësh ato përgjegjësi. Edhe e ke personin e duhur që ta ofron dashurinë dhe respektin, që e meriton dhe kalon çdo barrierë dhe sfidë për ty/ reciproke.

Rivali yt në muzikë është mashkull apo femër?

Nuk e shoh askënd si rival. Të gjithë kolegët janë të mirë në stilin e tyre.

Frika jote më e madhe?

Që COVID-19 nuk do të perfundojë deri 2023 (Qesh)… Frikë më të madhe për momentin nuk kam!

Nëse bota tjetër ekziston do të zgjidhje ferrin interesant apo parajsën e mërzitshme?

Gjithmonë do të zgjidhja dhuratën më të madhe nga Zoti për njerëzimin, parajsën.

Femra më e bukur për sytë e tu duhet të jetë origjinale apo pse jo me ndërhyrje?

Më pëlqen thjeshtësia dhe gjërat spontane. Por femrat janë të bukura sido që vendosin për veten e tyre dhe ndihen të tilla.

Ke refuzuar dhe a të kanë refuzuar?

Në jetë ndodh edhe ky fenomen reciprok!

Fama është helm apo melhelm për shpirtin?

Varet nga cili kënd e sheh. Helm i mehlemit apo mehlem i helmit.

Kush është mbretëresha e mendjes tënde në momentin që po flasim?

Nana jeme.

Dashuria ekziston për ty, dhe nëse po sa herë i ke përjetuar flutrat në stomak?

Egziston, dhe si njeri i gjallë që jam i kam përjetuar edhe fluturat. (Qesh)

Jep para borxh, ndodh që po ashtu të kërkosh borxh?

Nuk preferoj, por në rast nevoje kam dëshirë me ndihmu miq dhe familjarë dhe këdo që kam mundësi ta ndihmoj.

Këngëtari/ja që e dëgjon për t’u frymëzuar?

Ka shumë.

Fotografia: Andi Decani

www.story.al