EKSKLUZIVE/ Pagesa në 2 pjesë dhe bonuset, ja sa përfiton Tirana nga shitja e Ernest Muçit
Ernest Muçi dhe Legia Varshavë është punë e mbaruar. Në mesditën e djeshme klubi Tirana ndau rrugët me 19-vjeçarin, ndërsa vetë Ernest Muçi u shfaq në Varshavë te stadiumi i Legias për të hedhur firmën në kontratën me klubin e tij të ri.
Në një video të postuar nga vetë klubi, Muçi prezantohej tifozëve, duke i përshëndetur, ndërsa po dje ka kryer testet mjekësore duke i kaluar, ndërsa firma dhe prezantimi zyrtar është formalitet që duhet kryen ndoshta që sot. “Përshëndetje tifozë, unë jam Ernesti dhe kam lajme të mira për ju”, dëgjohet Muçi në videon e postuar nga Legia.
SHIFRAT – “Panorama Sport” mëson se Tirana ka mbyllur operacionin me një shumë totale 650 mijë euro. Bardheblutë do të marrin në dorë rreth 500 mijë euro, ndërsa pagesat do të bëhen në dy pjesë.
Po kështu, Tirana do të mbajë një pjesë të kartonit, dhjetë për qind. Shuma rreth 150 mijë euro është e përbërë nga bonuse të ndryshëm, si golat në kampionat dhe Europë, aktivizimet por edhe kualifikimi i Legias në Europa League.
TIRANA – Si fillim ishte Tirana që konfirmoi marrëveshjen e transferimit të Ernest Muçit te skuadra polake. “Klubi i Futbollit Tirana njofton se ka arritur marrëveshjen me klubin Legia Varshavë për lojtarin Ernest Muçi. Klubi polak pikasi sulmuesin bardheblu dhe menjëherë zyrtarizoi një ofertë për ta pasur atë pjesë të tij.
Legia është klubi më i suksesshëm i futbollit polak në histori dhe 15 herë kampione vendi. Klubi i Futbollit Tirana dhe Akademia e saj tregoi sërish se është një makineri talentesh dhe trampolina më e mirë drejt suksesit. Talenti bardheblu 19- vjeçar luajti të shtunën ndeshjen e tij të fundit me fanellën tonë. Nga dita e sotme(djeshme), lojtari i KF Tirana është i lirë pas marrëveshjes së firmosur mes palëve”, shkruante dje klubi bardheblu në rrjetet sociale.
VLERËSIMI – Konsideruar si një nga talentet më të mëdha në Ballkan, përfaqësuesi i Shqipërisë, Ernest Muçi, fluturoi për në Varshavë të dielën pasdite. Ernest Muçi deri dje ishte lojtari 25 herë kampionëve të Shqipërisë FK Tirana, me të cilët fitoi titullin e tij të parë vitin e kaluar. Në sezonin aktual, ai ka luajtur 25 ndeshje në të gjitha frontet (përfshirë kampionat, Kupë, Champions League dhe Europa League), në të cilat shënoi 7 gola dhe 6 asiste.
“Transfermarkt” e vlerëson kartonin e tij me 525000 euro. Pavarësisht moshës së tij të re, ai aktualisht luante sezonin e tretë në Superiore. Ka debutuar si 17-vjeçar në shtator 2018. Në sezonin aktual, ai ishte një lojtar bazë në të gjitha 20 ndeshjet e klubit, duke luajtur 1792 minuta nga 1800 të mundshme. Muçi është pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL