EKSKLUZIVE/ Nuk u ambientua në Turqi, Partizani në aksion për rikthimin e sulmuesit

Rikthimet duket se janë në “modë” te Partizani. Pas Romeros dhe kontakteve me “Bubën”, të kuqtë kanë vendosur në objektiv një lojtar të pëlqyer shumë nga tifozët e kuq, Eraldo Çinarin.

Sulmuesi nga Shkodra u transferua në verën e shkuar në Turqi te Samsunspori, por problemet familjare e penguan të ambientohej dhe mbeti shumë pas, duke mos qenë në asnjë moment në planet e stafit teknik.

Është e qartë se shkodranit i duhet një ambient tjetër për të ardhur në formën e tij më të mirë dhe Partizani duket se është i gatshëm për ta mirëpritur. Bëhet fjalë për një huazim të mundshëm, pasi Çinari ka kontratë me Samsunsporin deri në verën e vitit 2024, me opsionin për të rinovuar edhe për një sezon tjetër.

Gjithsesi, nuk përjashtohet as ndërprerja e kontratës dhe firma si lojtar i lirë me të kuqtë. Dëshira e Çinarit është të qëndrojë në ligën e parë turke, por duket një mision i vështirë pas këtij sezoni të dobët.

Nga ana tjetër, Samsunspori pritet të jetë i gatshëm për ta lënë Çinarin të transferohet në një klub tjetër, pasi numri i lejuar i të huajve në ligën e parë turke është i limituar në vetëm 5 gjithsej dhe drejtuesit do të duan të firmosin me një sulmues më efikas në vend të Çinarit.

Kështu, negociatat për huazimin te Partizani pritet të zgjidhen pa shumë vështirësi. Ngërçi i vetëm është paga e lartë e lojtarit për nivelin e Superiores, me Partizanin që nuk është i gatshëm ta paguajë të gjithën. Për këtë çështje do të duhen negociata mes klubeve.

Nga ana tjetër, Çinari duket ende i dyzuar dhe me shumë mundësi do e shtyjë sa të mundet vendimin e tij, me shpresën që të firmosë me një klub në Turqi.

Ajo që e tundon të rikthehet te Partizani, është fakti që mund të ambientohet shpejt dhe në rast se shkëlqen në Kupat e Europës, do të vendosej sërish në “vitrinë” për një transferim tjetër jashtë Shqipërisë.

Çinari shkëlqeu në sezonin e shkuar te Partizani, duke shënuar 8 gola në kampionat, edhe pse u bashkua me ekipin në janar, pasi shleu dënimin e dhënë nga FIFA për parregullsinë në transferimin e tij te të kuqtë.

PANORAMASPORT.AL