EKSKLUZIVE/ Arilena Ara rrëfen për “Story”: Suksesi & sekretet e femrës Alfa

Skrupuloze në karrierë dhe e ndjeshme si artiste, e pafajshme në portret dhe seksi në fizik. Doni të dini si është një femër Alfa? As më shumë e as më pak, po fiks si Arilena Ara. Në këtë ditëlindje të 22-të, këngëtarja që triumfoi në Festivalin e Këngës në RTSH me “Shaj” rrëfen ekskluzivisht për kopertinën e revistës “Story”, gjithçka nuk keni ditur për një artiste kaq speciale. Ngacmuar nga një set fotosh me bikini në Jug të Shqipërisë, bashkë me zbulimin e linjave të tonifikuara si skulpturë, vjen dhe zbulesa e botës së saj shpirtërore.

Arilena Ara pozon me bikini në Jug, si lindi ideja?

“Ideja e setit të ri në Jug erdhi natyrshëm me kohën, pra me stinën e verës. Pas një periudhe të vështirë izolimi prej disa muajsh, krijuam një koncept fotografie ndryshe buzë detit, me ndriçimin natyral të diellit duke eksploruar një nga vendet më të bukura të Jugut! Por nuk deshëm që të realizonim thjesht disa foto me poza klasike buzë detit. Menduam ta trajtonim ndryshe setin, me një ndjesi inoçente dhe shpirtërore, por në të njëjtën kohë seksi dhe të fortë”, shprehet Arilena për revistën “Story”.

Lind pyetja, po pse si rrallëherë Arilena Ara vendos të dalë me bikini, dhe si i zgjodhi lokacionet për t’u fotografuar? Duke qenë se fotografitë u konceptuan të realizoheshin në det, sigurisht që veshjet do të ishin bikini. Zgjedhja ishte patjetër e saj dhe menaxherit të njohur, Poli Kola. E më pas menduan bashkë me stilisten, Rezarta Skifteri të skicojnë disa modele autentike me pigmente të ndezura verore dhe gati gati të “guximshme”, që sigurisht flenë në karakterin e saj. Lokacioni ku realizuan gjithë setin ishte Vlora.

Në rrëfimin e saj i kujton si disa ditë fantastike në Vlorë bashkë me ekipin e saj, duke i dedikuar 24 orë kohë të plotë punës. Zgjoheshin në orën 04:00 për t’u bërë gati, që të kapnin lindjen e diellit në orën 06:00 të mëngjesit. “Kemi vrapuar si të çmendur ndërkohë që perëndonte që të arrinim “golden hour” nga plazhi. Pastaj në makinë, sepse donim që të shkrepnim fotografinë e fundit në një lartësi të madhe mbi taracë, me sfond detin dhe dritën e diellit që reflektonte mbi supet e mia teksa perëndonte”, tregon ndër të tjera Arilena.

Sa për muzikën “Fall from the Sky” dhe “Sounds of Silence” janë dy projektet, me të cilat iu drejtua publikut në kohë pandemie.

“Fall From The Sky” është bebja ime e preferuar deri më tani! E shkruajtur me shumë dashuri dhe pastërti duke reflektuar çdo emocion, çdo ndjesi të mirë dhe të keqe që mund të kem përjetuar!

Një videoklip që u konceptua të jetë i thjeshtë dhe emocional, që shpalos disa karaktere të ndryshme që flenë brenda meje. Pafajësinë, dhimbjen dhe klithmën për t’u dëgjuar.

Ndërsa “Sounds Of SILENCE” është një projekt shumë special, që është realizuar në kushte jashtë mase të vështira po me shumë përkushtim nga i gjithë ekipi im, në bashkëpunim me stafin e RTSH-së”, tregon ajo.

A do të ketë një recital tjetër nga Arilena dhe a është duke punuar për këngë të re?

“Sigurisht që do të ketë një recital tjetër nga unë, dhe shpresoj që herën tjetër do jemi bashkë me publikun. Do këndoj afër fansave të mi, me tërë energjinë time për t’i bërë të lumtur përmes muzikës sime”.

Sigurisht që po do të ketë dhe këngë të re! Momentalisht janë dy projekte ritmike që janë thuajse të përfunduara në anglisht. Në të njëjtën kohë ne po punonim në Los Angelos mbi albumin tim, që do të jetë në gjuhën angleze, por situata e pandesimë detyrimisht ka ngadalësuar pak procesin e përfundimit të albumit në kohën kur ishte caktuar të ndodhte.

Kishim planifikuar të udhëtonim sërish në qershor në Kaliforni për të punuar me albumin, por për shkak të situatës aktuale është e pamundur të lëvizim për momentin”, tha ajo.

Gjithashtu, Arilena tregon se po punojmë një projekt jashtë mase të përzemërt që do jetë në gjuhën shqipe. Një këngë speciale, uptempo (me ritëm) që ajo uron të jetë një kolonë zanore, për të krijuar kujtime të bukura gjatë kësaj vere.

Nëpërmjet muzikës së saj ndjehet që u jep shumë rëndësi ndjenjave, apo ndërthurjes së trinomit trup-mendje-shpirt.

Ja si i përgjigjet Arilena Ara pyetjes se në kohën e lirë çfarë muzikë dëgjon, ç’pije shijon, librat që lexon, filmat që ndjek, sportet që ushtron dhe miqtë që shoqërohet…

“Është e vërtetë dhe më bën të lumtur që e vlerësoni këtë gjë! Përpiqem të jem e vërtetë në çdo fjalë të shkruar, dhe e sinqertë në çdo ndjesi. Jam “perfeksioniste”, madje shpeshherë do e cilësoja veten gati të vështirë apo “të pamundur” të punosh apo të krijosh muzikë me mua në studio, por bashkëpunëtorët e mi e duan dhe e respektojnë këtë cilësi tek unë. Prandaj gjithmonë përpiqem të arrij më të mirën nga vetja, të shtyj veten në limite deri atëherë që të gjithë të jenë të bindur që kemi krijuar diçka të bukur!”

Se cilat janë disa perferenca të tjera në stilin e saj të jetës, Arilena i zbulon një nga një:

Unë nuk mund të jetoj pa muzikë.

“Dëgjoj në çdo moment të ditës, kudo që të jem apo çfarëdo që të jem duke bërë. Unë dëgjoj dhe dashuroj thuajse çdo zhanër apo rrymë muzikore, por sigurisht i dëgjoj dhe i ndaj në varësi të ambientit ku jam, dhe gjendjes shpirtërore që kam. Në shtëpi duke gatuar dëgjoj muzikë pop, me ritëm dhe energji të mirë që më bën të kërcej dhe ta shijoj. Madje preferoj ta dëgjoj me volum të lartë, dhe pastaj mund të vazhdoj me procesin e gatimit në kuzhinë”.

E kur është duke pushuar apo thjesht dëshiron të shlodhet pas një dite të ngarkuar, vendos muzikë të qetë në sfond sipas mood-it që është, dhe vazhdon të relaksohet. Pak balada, pak muzikë me poezi të thella, madje ka dëshirë t’i lexojë dhe dëgjojë me vëmendje. Në mëngjes për shembull, sapo zgjohet çfarë i pëlqen më shumë është:

“Marr një filxhan kafe dhe ulem para televizorit, ndërkohë eksploroj muzikë të re dhe muzikantë të rinj në Youtube. Në palestër gjatë stërvitjes, dëgjoj muzikë shumë të fortë në kufje, të zhanrit progressive house, dubstep, dance dhe hip hop, që të më mbajë të motivuar. Në makinë dëgjoj gjithmonë muzikë me volum të lartë, sidomos kur bëj udhëtime, sepse më shijon gjithçka edhe më shumë.

Një gjë që vlen për t’u theksuar është që në çdo lloj ambienti të jem kam dëshirë të dëgjoj muzikë me volum shumë të lartë, aq sa të gjithë mund t’më thonë do dëmtosh dëgjimin”, tregon Arilena. Ndërkohë janë shumë të rralla rastet, por ndodh kur është jashtë mase e lodhur dhe rri vetëm në heshtje pa dëgjuar asgjë, madje as muzikë…

“Unë nuk e pëlqej aspak alkoolin!

“Të gjithë miqtë e mi ankohen për faktin që kur mblidhemi gjatë darkave nuk i shoqëroj dot as me një gotë verë, që ta shijoj deri në fund. Nuk konsumoj pije me gaz, sepse sigurisht gjatë kohës që stërvitem dhe përpiqem të mbaj trupin në formë me aktivitet fizik nuk rekomandohet të konsumohen pije të asnjë lloji. Konsumoj shumë lëng qitro, gjithmonë shtrydh një gotë çdo ditë dhe limon. Këto dyja janë të preferuarat e mia, sepse shija që pëlqej është përfundimisht e athët, e kripur dhe aspak e ëmbël.”

“Filmat janë gjithmonë çështje më vete.

“Më duhet një kohë e gjatë për të selektuar një film që të më tërheqë vëmendjen. Kur dua të shikoj filma, përqendroj gjithë energjinë aty, dhe selektimin e zhanreve e bej sipas mood-it që jam. Ndonjëherë kam nevojë dhe dëshirë të shikoj komedi që të qesh, të shlodhem dhe mos të ngarkoj shumë trurin.

Më pëlqejnë shumë dramat, sepse jam një njeri i ndjeshëm, që prekem lehtë nga situatat emocionale e dramatike. I dashuroj animacionet(qesh).

Për shembull gjatë fundjavës, kur jam në shtëpi kam dëshirë ta nis ditën me një film animacion të bukur, që më mban të mbërthyer para ekranit të televizorit, apo laptopit. Por zhanri i filmave që dua më shumë dhe më intrigon gjithmone të shoh janë “political thriller”, and “crime” movies, dhe ata biografikë.

Ndërsa kur kam nevojë për adrenalinë, hap gjithashtu filma klasikë aksion. Serialet i dua shumë! Ka momente që e kam me interes të filloj të ndjek një serial, sesa të përzgjedh një film dhe ta shikoj deri në fund. Nëse jam një ditë pushim, dhe qëndroj vetëm në shtëpi, atëherë unë jam nga ata njerëz që kur më pëlqen një serial mund të shikoj dhe një sezon të plotë brenda ditës, ose dy.(Lol)”

“Palestra është shumë e rëndësishme për mua.

“Nuk është thjesht pasion, por për mua është stil jetese. Një aktivitet tjetër fizik është kërcimi që sigurisht është pjesë e imja, dhe e dua aq shumë sa muzikën. Kaloj një kohë shumë të gjatë në provat e koreografisë se performancave të mia skenike”.

“Trupi im është shumë i rëndësishëm, sepse mendoj që është një ndër faktorët kryesorë që tregon se sa respekt dhe vlerësim kam unë ndaj vetes. Të gjithë që më njohin nga afër e dinë që unë punoj dhe jetoj me disiplinë!, shprehet Arilena. Ndaj le të zbulojmë itinerarin e artistes për trup kopertinash.”

Palestra është pjesë e rutinës së saj prej 3 vitesh, tashmë pa asnje shkëputje.

Zgjohet çdo ditë në orën 07:00, dhe bën 2 orë stërvitje në mëngjes. Dy gjëra që gjithmonë kanë prioritet për të janë muzika, koha që kalon në studio që është pothuajse gjithë dita pa orare, dhe patjetër aktiviteti fizik, pra palestra që përpiqet ta ndjekë gjithmonë pavarësisht kohës, punës, organizimit të ditës apo udhëtimeve.

Gjithashtu është shumë strikte me veten, dhe në momente të tilla kur është në set, duke xhiruar apo koncert rrit intensitetin e stërvitjes, kontrollon ushqimin dhe mat çdo kalori që të arrijë objektivën që i duhet në kohë rekord.

“Ushqimi është realisht dashuri, por unë përpiqem të jem e fortë dhe të mund t’i rezistoj çdo ushqimi sado i shijshëm, dhe i dëshiruar të jetë. Madje miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi herë pas here vihen në siklet nga vendosmëria ime. Jam njeriu më pak “i këndshëm” për të bërë shoqëri në një “cheat meal”, sepse nuk i thyej lehtë rregullat”, rrëfen ajo duke qeshur.

Kam rreth shumë të ngushtë dhe të vogël miqsh, por që më bëjnë shumë të lumtur me prezencën e tyre në jetën time. Kam shumë sens humori, dhe kur jam me miqtë e mi e kam energjinë vetëm të argëtohemi me batuta apo situata të lezetshme komike, ndaj të gjithë më thonë që jam ndryshe nga që shikojnë në skenë(shumë karagjoze) domethënë. Me cilësojnë si një fëmijë të vogël engjëllor dhe me dy “brirë“ lart në kokë.” Lol

“Jam e dashuruar pas fotografisë.

E dashuruar të shkrep çdo detaj të bukur që shoh, dhe kaloj shumë kohë duke edituar pikërisht ato momente duke i dhënë më shumë dritë, ngjyra dhe jetë. Fotografoj gjithçka, një peisazh, një qiell të thellë të bukur, ca re të çuditshme, diellin duke lindur apo perënduar, vende të ndryshme, etj.

Miqtë e mi argëtohen gjithmonë me mua nëse jemi para një perëndimi të bukur, sepse dihet cila do të jetë lëvizja ime e parë, FOTOGRAFIA.

Foto bardh e zi VS foto me ngjyra, cilat dominojnë më shumë shumë në albumet e saj? “Hmmm! Nëse u referohemi fotografive profesionale besoj që ato bardh&zi. Nuk mbaj mend sa shumë foto kemi realizuar në ato nuanca, dhe nuk lodhemi asnjëherë duke shkrepur në bardh&zi. Janë gjithmonë ndryshe, gjithmonë më të bukura dhe më shpirtërore. Mendoj që fotografia në bardh e zi është “timeless”, dhe shpeshherë shpreh apo reflekton më shumë seç mund të mendosh.

“Ndërsa foto në ngjyra kam pafund në telefonin tim personal!”, tregon Arilena.

Dhe në mbyllje sekretet e femrës Alfa në muzikë apo show business mund të na i rrëfejë vetë Arilena Ara.

Është disiplina, vullneti, puna ‘hard working’, besimi dhe ambicia. Nuk janë sekrete, por janë thjesht cilësi që ajo fatmirësisht është stërvitur që t’i ketë. Nuk është e thjeshtë, por asgjë e pamundur!

“Unë kam vlerësuar gjithmonë faktin që Zoti më ka dhënë një dhunti për të kënduar, ndoshta për të influencuar tek njerëzit, përmes muzikës. Prandaj i kam dhënë karrierës sime gjithmonë prioritetin e duhur. Por nuk jam dorëzuar, apo fshehur pas faktit që kam talent dhe gjithçka do funksionojë vetë, sepse talenti nuk është mjaftueshëm nëse nuk investon kohë, punë dhe mund “to make it work”, tregon ajo.

E në fakt i është dashur të sakrifikojë shumë gjatë fëmijërisë së saj, që të jetë pikërisht këtu ku është sot, dhe aty ku do të mbërrijë nesër. Nuk ka bërë një jetë si çdo bashkëmoshatar i saj, përkundrazi nuk ka dalë asnjëherë përveçse në studio, kam qëndruar në shtëpi duke i privuar vetes çdo lloj daljeje publike; në kafe, restorante apo clube.

“Nuk mbaj mend të kem bërë pushime gjatë gjithë adoleshencës sime, dhe ende sot nuk e perceptoj si një gjë që duhet ta bëj domosdoshmërisht. Ndërkohë që për mua më mirë është ta zëvendësoj atë kohë në studio duke krijuar muzikë, apo duke u përgatitur për diçka tjetër më të madhe. Sepse në fund të ditës puna që bëj është ajo që më jep shlodhjen më të madhe dhe sadisfaksionin më të madh. Momenti kur finalizojmë një projekt, më bën të ndjej një lumturi dhe krenari të paimagjinueshme”, shprehet Arilena.

Lind pyetja a është Arilena Ara artistja që bën gjithçka sipas mendjes së saj, apo konsultohet për të marrë vendimet e duhura në profesion:

“Nuk jam një njeri që nuk dëgjoj askënd dhe bëj gjithçka që më pëlqen si dua vetë. Përkundrazi unë dëgjoj gjithmonë ekipin tim, bashkëpunëtorët e mi, duke i besuar në çdo hap që hedh!”, përfundoni Arilena Ara në këtë rrëfim të bukur, ekskluzivisht për revista “Story”.

Photographer: Ergys Zhabjaku

Stylist: Rezarta Skifteri Hair

Make Up Artist: Ujvara Hajdari

www.story.al