Egest Xhoga: Valbona Selimllari nuse, e kisha të vështirë të zgjidhja mes fotove
Një nuse në prag të altarit. Kjo ishte ndjesia që na la Valbona Selimllari me disa foto të veçanta artistike që realizoi pak para ndërrimit të viteve, ku pozon e veshur me disa fustane të bardhë. Edhe pse kanë kaluar 26 vjet nga dita kur u shpall “Miss Albania” e parë, kurora e bukurisë në kokë i shkon po njësoj. Në mbyllje të spektaklit “Dance with me” Selimllari shfaqet si nuse, duke sjellë atmosferën e një dasme të vërtetë e të sofistikuar. Egest Xhoga është fotografi i zgjedhur nga nëna e tre fëmijëve për ta fotografuar me fustane të bardhë të stileve të ndryshme. Pas setit për garën e “Mrs Globe”, Xhoga rrëfen këtë eksperiencë të dytë me Valbonën, por jo të parën me modele që pozojnë me veshje nusërie. Ai zbulon për revistën “Story” gjithçka nuk shihet nga realizimi i një seti për ngjarjen më të rëndësishme në jetën e femrave.
Pasi e fotografove si miss me kurorën e “Mrs Globe” na e sjell Valbona Selimllarin nuse. Është “nusja” e parë që ke fotografuar, apo ke pasur eksperienca të tjera më parë?
Kjo është eksperienca ime e disatë në fushën e reklamimit të fustaneve të nusërisë. Por do ta veçoja si një ndër më të veçantat, duke patur parasysh realizimin dhe personat e përfshirë. Seti i fundit i realizuar me Valbona Selimllarin është pjesë e një fushate reklamimi fustanesh nusërie të “Lili Sposa wedding Dress”.
Sa fustane veshi gjithsej Valbona, dhe me syrin e fotografit profesionist me cilin stil fustani t’u duk më bukur?
Nuk mund të jap një numër të saktë të fustaneve që veshi, por mund të them që për mua si fotograf, pas realizimit të setit ishte mjaft e vështirë të përzgjidhja. Kjo për shkak se me Valbonën kisha shumë foto të bukura dhe po ashtu dhe fustanet. Megjithatë si shije personale, Valbonën do e veçoja me fustanet në stil “Mermaid”. Për ata të cilët nuk e kuptojnë këtë term, përfaqëson një model për fustanet e nusërisë që nxjerrin në pah linjat e trupit në gjithë gjatësinë e tij.
Kur realizon një set fotosh nusërie për çfarë kujdesesh që të ketë ndryshe nga ç’kemi parë?
Çdo set fotografik, i çdo zhanri apo qëllimi për të cilin realizohet, ka kompleksitetin e tij në realizim. Duke lënë disi në hije anën teknike, do të veçoja “idenë” si komponentin më të rëndësishëm dhe atë që bën diferencën. Martesa përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme në jetën e një personi, dhe e tillë duhet të jetë dhe ndjesia e fotove rreth saj.
Si mund ta përshkruaje në mënyrë artistike ndjesinë që të krijon fustani i bardhë, kur e sheh të veshur nga një grua e bukur?
Vetë fustani i bardhë personifikon një ndjesi të pastër, fisnike dhe naive në të njëjtën kohë. Diçka që të tërheq ta bësh tënden. Dhe nëse arrin t’i përmbledhësh të gjitha këto ndjesi në një shkrepje, atëherë ke arritur të bësh një foto të mirë.
Duket se tani Valbona ka krijuar besim tek ty si fotograf, përderisa fotot po i realizoni vetëm bashkë. Për çfarë të komplimenton në punën tënde?
Me Valbonën ky është një tjetër bashkëpunim i suksseshëm. E rëndësishme në këtë fushë është marrëdhënia që krijon me personin që do të fotografosh, sepse pikërisht kjo marrëdhënie përcillet dhe në punën përfundimtare. Ndaj me Valbonën besoj se kemi gjetur të përbashkëtën që na plotëson të dyve.