E bujshme, Doviciozo tërhiqet nga bota e garave në mes të sezonit të MOTO GP
Andrea Doviciozo do të tërhiqet nga Moto GP, pas garës së San Marinos në shtator. Ky është vendimi i pilotit italian, i cili pas 14 vitesh në nivelet më të larta të garave me motorë, ka vendosur që ta mbyllë përfundimisht këtë cikël. Këtë lajm e ka bërë me dije vetë 36-vjeçari me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku është shprehur se ka ardhur koha që të tërhiqet përfundimisht nga kjo aventurë e bukur që ka kaluar, por që marrëdhëniet e tij me këtë sport do të vazhdojnë të jenë të njëjtat.
Në 245 gara ai ka fituar 15 dhe ka arritur 62 podiume. Pengu i tij më i madh sigurisht do të mbetet titulli i humbur në vitin 2017, ku e humbi vetëm në garën e fundit përballë Mark Markezit. Për pjesën e mbetur të sezonit, Yamaha do ta zëvendësojë Doviciozon me pilotin britanik, Kal Kratçlou.
POSTIMI I ITALIANIT – Lajmin e ka dhënë vetë piloti italian me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në të cilin shkruan: “Në vitin 2012, përvoja me prodhuesin ‘Iwata’ në Moto GP kishte qenë shumë pozitive për mua. Që atëherë kam menduar gjithmonë se herët a vonë, do të kisha dashur të kisha një kontratë zyrtare me Yamahën. Kjo mundësi u shfaq, në fakt në një mënyrë disi të guximshme, gjatë vitit 2021. Vendosa ta provoja sepse besoja shumë në këtë projekt dhe në mundësinë për të ecur mirë.
Por fatkeqësisht, vitet e fundit Moto GP ka ndryshuar rrënjësisht. Situata është shumë e ndryshme me 10 vite më parë dhe nuk jam ndier kurrë rehat me motorin, duke mos mundur të shfrytëzoj maksimalisht potencialin e tij, pavarësisht ndihmës së çmuar dhe të vazhdueshme nga skuadra dhe e gjithë Yamaha. Rezultatet ishin negative, por përtej kësaj, unë ende e konsideroj këtë eksperiencë një përvojë shumë të rëndësishme jetësore. Kur ka kaq shumë vështirësi, duhet të tregosh aftësinë për të menaxhuar mirë situatën dhe emocionet. Nuk arritëm objektivat e dëshiruara, por konsultimet me teknikët e Yamahas dhe me të gjithë skuadrën kanë qenë gjithmonë pozitive dhe konstruktive, si për ta ashtu edhe për mua.