Dy turistë francezë bllokohen në kanionet e Langaricës në Përmet
Më datë 11.08.2022, rreth orës 16:15, në sallën operative Përmet ka ardhur një telefonatë se dy turistë francezë, duke eksploruar me këmbë zonën e quajtur “Kanioni i Langaricës”, në Përmet, kanë mbetur të bllokuar në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet kanë ndërhyrë në zonë dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve, në Kanionin e Langaricës.
Gjatë kërkimit për 2 turistët francezë, i është dhënë ndihmë dhe një shtetasi të moshuar, i cili gjithashtu kishte mbetur i bllokuar në këtë zonë.
Punonjësit e Policisë, së bashku me shërbimet zjarrfikëse i kanë nxjerrë 2 turistët dhe shtetasin e moshuar nga terreni i vështirë ku ishin bllokuar dhe më pas u është ofruar kontrolli mjekësor. Aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.