“Duam mbrojtje ligjore”/ Xheni Karaj: Unë dhe partnerja ime po diskutojmë të kemi fëmijë

Nga emisioni “Arnautistan” në MCN TV Xheni Karaj Drejtore Ekzekutive e Aleancës Kundër Diskriminimit të personave LGBT, tha se ajo dhe partnerja e saj janë duke menduar për fëmijë.

Duke marrë shembullin e një çifti lesbikesh të cilat janë bërë nëna përmes farëzimit artificial dhe fëmijët e tyre janë të paregjistruar, Karaj tha se komuniteti ka kërkuar ndryshime në “Kodin e familjes” përfshirë këtu edhe martesën në mënyrë që të jenë më të mbrojtur.

“Unë dhe partnerja ime jemi duke diskutuar për fëmijë. Kemi 6 vite bashkë dhe nuk kemi mundësi të njihemi ligjërisht si çift.

Ideja e martesës nuk është thjeshtë konstrukt social, unë e dua këtë sepse dua që marrëdhënia ime të mbrohet ligjërisht dhe nëse mua më ndodh diçka dua që partnerja ime të sigurohet dhe pasuria ime të mos shkojë tek ai kushëriri që nuk do të na shikojë me sy.

Ose nëse do të merret një vendim për shëndetin tim të jetë partnerja ime që ta bëjë këtë, jo njerëz që nuk janë pjesë e jetës time.

Këtë gjë është shumë e vështirë ta bësh edhe me ligj pa martesë, është një vakum i madh. Martesa jonë nuk rrezikon jetën e askujt tjetër. Janë të kufizuara të drejtat që mund të merren përmes një testamenti, krahasuar me atë që mund të të japë ligji”, tha Karaj.