“Do të jetojmë në hapësirë, në Tokë do të vijmë për pushime”, Jeff Bezos çudit me parashikimin

Në vizionin e Jeff Bezos për të ardhmen, njerëzit do të lindin në kolonitë hapësinore dhe do të vizitojnë Tokën vetëm për pushime. Bezos diskutoi për hapësirën dhe planet e ‘Blue Origin’ në Forumin Ignatius 2021 në Uashington, DC.

Gjatë intervistës, themeluesi i Amazon dhe Blue Origin zgjeroi idenë e tij për kolonitë hapësinore: habitate lundruese që imitojnë motin e Tokës dhe tërheqjen gravitacionale. Cilindrat lundrues dhe rrotullues do të jenë në gjendje të mbajnë deri në 1 milion njerëz dhe të kenë “lumenj, pyje dhe kafshë të egra”, tha ai.

“Gjatë shekujve, shumë njerëz do të lindin në hapësirë. Ajo do të jetë shtëpia e tyre e parë,” tha Bezos. “Ata do të lindin në këto koloni, do të jetojnë në këto koloni. Më pas, ata do të vizitojnë Tokën ashtu siç do të vizitonit ju Parkun Kombëtar Yellowstone, thjesht për pushime.”

Bezos fillimisht përmendi idenë e ndërtimit të kolonive hapësinore në fjalimin në diplomimin e shkollës së mesme dhe ai tha të mërkurën se ai besonte se kolonitë hapësinore ishin një alternativë më e mirë sesa përpjekja për të rifilluar jetën në një planet tjetër.

Mënyra e krijimit të jetës jashtë Tokës është një “mollë sherri”, midis Bezos dhe Tesla dhe themeluesit të SpaceX, Elon Musk. Musk ka thënë se qëllimi kryesor i kompanisë së tij të raketave është “kolonizimi i Marsit” dhe sipas tij, planeti do të duhet të transformohet duke përdorur armë bërthamore për ta bërë atë të banueshëm.

Burimi: Business Insider