Devis Xherahu: Këngëtar i “live-t” në vendin ku paraja derdhej lumë, pse u largova nga buzukët e Greqisë

Devis Xherahu vjen në stinën, këngën dhe qytetin e duhur me xhirimet në Shkodër të klipit të ri “Kur gjethet bien në vjeshtë”. Ky është qyteti, ku Devisi nga Korça, jep më shumë koncerte, ndërkohë që vendos të mos marrë më pjesë në festivalin “Kënga Magjike”, për shkak të formulës ku kolegët votojnë njëri-tjetrin. Për arsyen pse hoqi dorë nga të kënduarit në buzukët e shtrenjtë të Greqisë, karrierën në Shqipëri dhe lidhjen në distancë më ish-Miss Shqipërinë, Ertemiona Mejdani, Devisi flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

“Kur gjethet bien në vjeshtë” është klipi yt i fundit. Është kjo stina e preferuar dhe të bën të jesh meditativ apo melankolik?
Nuk mbaj mend prej sa kohësh vjeshta është stina ime e preferuar. Di që më çon në një tjetër dimension dhe më bën të ndihem vetvetja.

Pse vendose të rikthesh këtë këngë të vjetër dhe çfarë kishe në mendje kur realizoje xhirimet në rrugët e Shkodrës?
E para, është një serenatë shkodrane që është kënduar shumë në Korçë, pra, ka zënë vend mes serenatave korçare. E dyta, është një nga këngët e preferuara të prindërve të mi dhe e imja sigurisht. E treta, Shkodrës i detyrohem sepse koncertet më të shumta në vit i realizoj atje. Xhirimet në rrugët e Shkodrës më çonin pikërisht te vargjet e këngës, aq i ndjerë dhe fisnik, që përkthehet shumë bukur dhe natyrshëm nga muzika e mrekullueshme e saj.

Pas kthimit nga Greqia, ku bëre karrierë të mirë si këngëtar, sa të përfshirë e ndien veten në tregun muzikor shqiptar?
E ndiej veten plotësisht të përfshirë në këtë treg sepse gjithmonë tregu jam unë, pra, përzgjedhja e krijimeve është e imja, duke më pëlqyer mua në radhë të parë.

Cilat janë këngët e repertorit tënd, që i këndon me shpirt dhe ato që i ke realizuar për hir të tregut?
Tregu im dhe këngët e mia jam unë, pasi nuk kam dalë kurrë nga vetja për hir të këtij tregu. Me pak fjalë, gjithçka që kam sjellë në këtë treg, është vetëm nga dëshira dhe ngacmimi im i pandikuar nga askush. Pra, përfshihem plotësisht në të gjitha krijimet e mia.

Devis-Xherahu-2

Njihesh si këngëtari që merr pjesë në festivale. Do garosh në “Kënga Magjike” në këtë 20-vjetor të produksionit, apo ndihesh zemërthyer nga votimet e viteve të kaluara të kolegëve?
Jo, nuk do të marr pjesë. “Kënga magjike” është një nga evenimentet më të rëndësishme të muzikës sot në Shqipëri, por për sa kohë do të votohet nga vetë ne artistët humbet mjaft pikë në sytë e mi dhe dashur padashur i hap rrugë lobingut dhe jo vlerave. Kjo është arsyeja që unë nuk marr pjesë te “Kënga Magjike”.

Si janë fitimet e tua nga muzika këtu, pasi je mësuar në Greqi, duke kënduar në buzuk. Sa fitoje atje dhe sa fiton tani?
Kuptohet, Greqia ka qenë shumë lart ekonomikisht dhe sidomos muzika paguhej shtrenjtë dhe paguhet ende. Veçanërisht muzika “live” është industri e madhe. Por nuk mund të bësh krahasime me Shqipërinë, sepse tek unë kompensohet me rëndësinë më të madhe morale që gjej në vendin tim, sesa në Greqi mungonte kjo lartësi morale…

Duke qëndruar tek ajo kohë, para disa javësh postove një foto në një buzuk me ish-Kryeministrin, Fatos Nano. Ruani miqësi dhe a kujton emra të tjerë personazhesh të njohur, që vinin të argëtoheshin në buzukun ku këndoje?
Jo, ka qenë vetëm një rast kur u takuam me Fatosin dhe që atëherë nuk jemi takuar më. Por po përmend rastin e mikut tim të nderuar, të ndjerit Dritan Hoxha. U njohëm në një nga buzukët ku unë performoja me Lefteris Pantazis. Kishte dëgjuar për mua dhe erdhi të më dëgjonte e që atëherë ai vinte shpesh në buzuqet ku unë performoja. E meqenëse para disa ditësh u festua ditëlindja e 50 e tij, unë shpreh mirënjohjen, pasi ai ishte mbështetja ime kryesore në kontaktin e parë me publikun tim shqiptar nëpërmjet “Top Channel”. E kujtoj dhe do e kujtoj me respekt mikun tim, babain e medias shqiptare. Ndiehem me fat që e takova!

Devis-Xherahu-1

Në jetën private dihet që ke një histori disavjeçare me ish-Miss Shqipërinë, Ertemiona Mejdani. Te “Zonë e lirë” u shprehe se bashkëjetoni kur keni kohë, pasi ajo udhëton shpesh në Kinë. Me çfarë merret atje?
Ertemiona ka një axhendë të ngarkuar mes Kinës dhe Shqipërisë si modele për disa emra të mëdhenj stilistësh të botës së modelingut.

Distanca është e vështirë për çiftet, ndodh që bëheni xhelozë?
Xhelozia është normale kur dy njerëz dashurohen fort, por kjo xhelozi nuk është në fazën e sëmundjes, që përjetojnë disa çifte. Unë dhe Ertemiona e kemi pranuar njëri-tjetrin ashtu si jemi, me profesionet që kemi.

Çfarë lloj dashurie është kjo e juaja, si mund ta përshkruash me pak fjalë?
Një ëndërr e bukur, nga e cila nuk dua të zgjohem kurrë!

E keni në plan një ceremoni dasme dhe kur?
Po, por më mirë të mbetet suprizë.