“C’est la vie” homazh për Aleksandër Lalon, po sot është spektakli 100 për qind “live”?
Spektakli “C’est la vie” është rikthyer sot (e Diel) në “Tv Klan” me një mbrëmje homazh në kujtim të artistit Aleksandër Lalo, që ndërroi jetë një javë më parë. Bashkëpunëtorë të tij sollën fakte, kujtime e data që kanë lidhje me jetën e artistit me karrierë të spikatur si kompozitor i kolonave zanore në kinema e deputimeve në festivale, që u shua në moshën 68 vjeçare si pasojë e një ataku në zemër. Ndërsa çiftet VIP u miksuan ndryshe me njëri-tjetrin këtë natë televizive, duke interpretuar krijimet e tij më të njohura ndër vite. Lind pyetja po kjo mbrëmje spektakli a është 100 për qind “live”? Po j’ua lëmë ta gjykoni vetë, ashtu siç do të donte muzikanti rebel që emocioni të përcillej drejtpërdrejt gjatë një koncerti homazh, kur një artist largohet nga kjo jetë? Kujtojmë se të dielën e kaluar moderatorja Marina Vjollca dhe produksioni dolën bllof me prezantimin e show-t si 100 për qind “live”. Për ironi të fatit, Lalo ndërroi jetë pikërisht në primetime-in televiziv, kur po transmetohej “C’est la vie” dhe ai gjykonte konkurrentët në garë. Gjithsesi për Maestro Lalon, e diela e kaluar ishte e diela e fundit “live” në këtë botë, kështu që pak rëndësi ka nëse vargjet e këngës së tij: “Shpesh herë të dielave bashkë me fëmijët e mi, dal e shëtis qytetin tim…” do të këndohet live apo me playback e regjistrim.