Çekët i japin lamtumirën koronavirusit nëpërmjet një feste “të çmendur”
Edhe pse OBSH paralajmëroi se jemi ende shumë larg fundit të pandemisë, Republika Çeke duket se e ka ndarë mendjen t’i japë lamtumirën koronavirusit.
Çekët kanë mbajtur një festë gjigante lamtumire, edhe pse rastet vijojnë të shtohen dita-ditës. Në fakt, edhe pse ka një popullësi prej 10 milionë banorësh, Çekia ka rreth 12,000 infeksione dhe rreth 350 viktima. Megjithatë, raste aktive janë ende 3,860.
Por kjo nuk i ka penguar çekët të mblidhen në një tavolinë të gjatë 500 metra në Charles Bridge, në Pragë dhe të festojnë të gjithë bashkë me ushqime dhe pije të marra nga shtëpia.
Grumbullimet ishin aq të mëdha saqë ishte e pamundur mbajtja e distancimit social, por faktikisht kjo ishte ideja, që njerëzit tanimë mund të ndanin gjithçka me njëri-tjetrin.
“Ne duam të festojmë fundin e krizës së koronavirusit, duke i lënë njerëzit të takohen, të tregojnë se nuk janë të frikësuar të takohen dhe nuk janë të frikësuar të marrin një copë sanduiç nga fqinji”, -është shprehur një nga organizatorët e festës.Vendet në festë ishin rezervuar të gjitha në një kohë rekord.
Çekia ishte shumë e shpejtë në izolimin e vendit në fillim të pandemisë dhe vetëm javën e kaluar i ka lehtësuar masat.