Bruno i “Revolt Klan” bën klip dasmën e tij: Kështu nisi historia që më bëri të besoj tek dashuria në përjetësi!

Klotilda Harka/ Pranë detit, me një puthje në një kopësht parajse, Bruno Pollogati i “Revolt Klan” nuk u vesh dhëndër për këngën e rradhës, por bëri klipin e jetës, duke e kthyer në art ditën e dasmës. Si rrallë here, Bruno i surprizoi të gjithë kur bashkë me projektin e titulluar “Dashuri”, i kishte dhënë fund beqarisë, pasi u dashurua me shikim të parë me oficeren e financës. Për baladën që erdhi në kohën e duhur, si një frymëzim magjik nga Pirro Çako dhe Edlir Begolli, Bruno rrëfen gjithçka për “Panorama Plus” .

“Dashuri” një këngë dedikuar partneres reale? Si lindi ky krijim për ty nga Pirro Çako dhe Edlir Begolli?
Në fakt e kisha menduar gjithmonë një dedikim për të fejuarën, por kjo erdhi fiks në momentin e duhur, pasi me Pirron dhe Edlirin arritëm ta kishim baladën gati përpara dasmës. Pirro ka një frymëzim magjik. Është vërtet eksperiencë më vete të krijosh me të. Edlirin e kam krah në çdo hap timin, është A-ja e çdo projekti.

E veçanta e këtij klipi është se është një “reality show”, sepse keni xhiruar ditën e dasmës. Pse vendose ta ktheje në art ditën më të rëndësishme të jetës?
Dasma jonë përfaqësonte më së miri emocionet reale, që një çift ndjen. Rrugëtimi në altar, hapat e parë së bashku, festa me miqtë dhe familjen… Të gjithë e gjejmë veten në një ditë si kjo.

Dhe si nisi kjo histori?
E kam parë, e kam pëlqyer, e gjeta kush ishte dhe i shkruajta. Kështu nisi historia jonë e njohjes.

Kujt i lindi ideja për këtë minifilm dhe ishte dakord partnerja duke qenë se nuk është pjesë e showbiz-it?
Në fakt ideja fillestare ishte e imja dhe mbeti surprizë për të deri afër dasmës. Bashkëshortja ime nuk është pjesë e shoëbizit, por ka shumë shpirt dhe sy artistik.

Nuk pamë personazhe VIP në klipin e dasmës. Kishe ftuar miq të njohur apo thjesht ishin aty por s’u shfaqën në kamera?
Patjetër ishin prezent miq shumë të ngushtë, por videoklipi është fokusuar tek momentet kryesore të ceremonisë.

Duke u inspiruar nga titulli, çfarë ështe dashuria për ty, dhe ndjehesh me fat që u ngjite në altar me vajzën që dashuron?
Dashuria është ndjenja më e bukur. Ndihem shumë me fat që kam gjetur dashurinë e jetës.

Të tremb betimi në të mirë e në të keq, dhe beson tek dashuria e përjetshme?
Nuk me tremb aspak pasi kjo është vetë jeta, besoj tek dashuria në përjetësi.

Zakonisht i shohim këngëtaret me partnere nga bota e medias dhe showbizit. Ti pse bërë këtë zgjedhje ndryshe?
Zgjedhjet i bën zemra. Showbizi është thjesht pjesë e profesionit, dhe nuk është aspak e rëndësishme. Rëndesi ka esenca e njeriut, thelbi.

Pas dasmës do të vijë fëmija, apo keni kohë për hapin që ju bën prindër?
(Qesh) Kjo është pyetje që miqtë dhe familjarët e kanë të përditshme për ne. Patjetër që urojmë të na bekojë Zoti me një fëmijë në kohën e dëshiruar!

”Dashuri” me gjasa do të jetë një këngë që do të kërcehet nga çiftet në momentin kulminant të dasmës. Ishte ndër qëllimet tuaja që të realizonit një hit dasmash?
Arti prek ndjenjat dhe sigurisht që dëshira ime është, që kjo këngë të depërtoi në zemrat e të gjithëve.

“Duamë” nga Alban Skënëderaj e Miriam Çami, “Çelësi i zemrës” nga Bes Kallaku apo “Dashuri” nga Bruno Pollogatit? Cila mendon se ua prek më shumë telat e zemrës deri në përjetësi, apo i bën t’u dridhen duart çifteve që vendosin të martohen?
Secila këngë është një emocion më vete, dhe sa bukur që ekzistojnë këto këngë që na prekin telat. E pak rëndësi ka kush më shumë, sepse në fund mbetet esenca, frymëzim i përjetshëm, dashuria./Panorama Plus