Briseida Mehmeti: Jo gjithkush ka mundësinë të jetë çdo natë në ekran si unë, jeta ime si velinë në Shqipërinë e 1001 problemeve
Me trup perfekt, lidhje të ngushtë me muzikën, dhe që di të kërcejë bukur. Do të mendoni se velina bionde e “Fiks Fare”, Briseida Mehmeti është një femër e nxehtë, por nuk është kështu. Në këtë intervistë të saj të parë për revistën “Story” rrëfen natyrën e ftohtë akull që e distancon nga të tjerët, gjithçka nga jeta dhe botëkuptimi i një 18 vjeçareje të bukur si ajo, dhe portretizimi që i bën mashkullit të duhur. Sapo ka realizuar një set fotosh që i paraprijnë verës me Egest Xhogën, poza që flasin shumë për tipin e saj.
Në fotot e reja që lajmërojnë verën dukesh shumë e tërheqëse, e egër dhe një vajzë imponuese. Kur pozon para aparatit cilën pjesë të bukurisë apo karakterit përpiqesh të nxjerrësh më shumë në pah?
Dëshiroj të shfaq karakterin në fotot e mia. Por setet fotografike që kam realizuar deri tani nuk janë foto të realizuara sipas dëshirës sime. Fotot janë realizuar për punë të caktuara dhe janë ideuar në bazë të tyre. Pavarësisht kësaj unë mundohem të tregoj karakterin tim në çdo foto dhe të qëndroj tek ajo që unë jam në të vërtetë.
Si është të jesh një velinë dhe të kërcesh çdo mbrëmje në ekran. A është kjo puna më e bukur apo më e sikletshme e undshme?
Tashmë u bënë tre vite që unë jam pjesë e ekranit çdo mbrëmje. Nuk ka qenë aspak e sikleteshme, për sa i përket opinionit apo mënyrës se si njerëzit mund ta shohin të qenit “velinë”. Për të thënë të vërtetën, velinat nuk i kanë përkufizuar asnjëherë shumë pozitivisht për karakterin, mënyrën si vishen në ekran, etj.
Ky lloj stereotipi që është krijuar për velinat të ka shqetësuar apo je totalisht indiferente?
Kjo gjë nuk më ka shqetësuar aspak, gjithsesi unë ndihem mirë me veten time, njerëzit që më njohin e dinë si jam dhe kush jam. Të tjerëve u mbetet për ta zbuluar nëse duan dhe nëse jo, nuk më intereson aspak. Mund të them që është një punë shumë e bukur, jo gjithkush ka mundësinë të jetë çdo natë në ekran, e aq pranë publikut. “Fiks Fare” është gjithashtu shumë informues, të mban të lidhur me të gjitha problematikat dhe aktualitetin. Pavarësisht se unë jam velinë, ndjek me vëmendje çdo tematikë dhe problem që diskutohet dhe zgjidhet. Shqipëria nuk është vetëm qendra e Tiranës, njerëzit kanë 1001 probleme, është shumë mirë të shohësh se si njerëzve u pakësohen shqetësimet, me aq sa ky emision mundet.
Ti je biondja përkrah brunes Anisa Mukaj. Ç’mund të thuash për biondet kur i krahason me brunet?
Biondet dhe brunet për mua është një ndarje që nuk egziston përveçse thjesht ngjyrës. Çdo gjë tjetër lidhet me karakterin e një njeriu. Barsaletat me biondet janë shumë të lezetshme ndonjëherë, por ngjyra e flokëve nuk i bën as biondet as brunet më të mira se tjetra. Në fund fare do të doja të thoja kështu si për të mbrojtur veten, që unë nuk jam një bionde natyrale. (qesh)
Me Anisën jeni dy të kundërtat që tërhiqen, apo të njëjtat që shtyhen?
Përgjigja do të ishte që jemi dy të kundërta që tërhiqen duke i qëndruar besnike pyetjes tuaj. Në fakt ne jemi të kundërta dhe të njëjta. Një gjë që na bën të shkojmë mirë është që kemi parime dhe mendime të njëjta në shumë drejtime. Ama, ne diskutojmë me zë të lartë, kur nuk jemi dakord me njëra-tjetrën. Aq sa ka plot raste të cilat kur diskutojmë apo debatojmë mbi diçka të caktuar dhe ndodhemi në punë vijnë dhe na pyesin:”Çfarë keni?” “Çfarë po ndodh?”. Në këtë moment e kuptojmë që e kemi tepruar pak dhe fillojmë qeshim. Ama kjo nuk e cenon aspak shoqërinë tonë.
Sa u takon moderatorëve të programit investigativ ti argëtohesh më shumë me Dorian Ramaliun apo Devis Mukën?
Në mënyrën më të thjeshtë do të thoja që çunat janë “nona fare” që të dy. (qesh) Përtej shakave, ata janë shumë të mirë. I vlerësoj të dy dhe kam marrëdhënie të mirë me të dy. Nuk do dija t’i ndaja, mendoj se ata të dy janë paketë, pra nuk mund t’i ndash nga njëri-tjetri.(qesh)
Nëse do të duhej të kërceje çift me secilin, cilin prej tyre do të zgjidhje për vals, dhe cilin për tango?
Nuk e di mendoj që do të kërceja një vals me Dorin dhe një tango me Devin. Pa ndonjë arsye të veçantë.
Pas velinës cili do të jetë profesioni yt brenda apo jashtë televizionit?
Po eksperimentoj akoma. Nuk e kam vendosur ende se çfarë dua të bëj përfundimisht në jetën time. Televizioni mbetet një dëshirë e madhe. Po bëhem pjesë e fushës së modelingut. Kam plane të tjera në fushën e artit që po i mendoj ende. Pralelisht unë vazhdoj universitetin për Studime Psiko-Sociale, kështu që profesioni im në të ardhmen mund të jetë edhe ky.