Bob Marley-n e kanë vrarë, ish-agjenti i CIA-s zbulon “atletet e vdekjes” që i bëri dhuratë

Është thënë se legjenda e muzikës, Bob Marley vdiq më 11 maj të vitit 1981 si pasojë e ndërlikimeve të gjurmuara te kanceri. Në korrik të 1977-s Marley u diagnostikua me një lloj melanoma malinje në gisht. Sipas mediave të huaja në atë kohë, thuhej se kjo plagë nuk u shkaktua nga një lëndim gjatë një ndeshje futbolli atë vit, por që ishte një simptomë e kancerit, tashmë ekzistues. Si pasojë, përhapja e melanomës në mushkëritë dhe trurin e tij shkaktoi vdekjen e Bob-it. Ndërkohë fjalët e tij të fundit për të birin Ziggy ishin: “Paraja nuk mund të blejë jetën”. Por së fundmi një ish-agjent i CIA-s pretendon se ai është përgjegjës i vdekjes së legjendës së muzikës. 79-vjeçari Bill Oxley, i cili thotë se ka punuar me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, ka rrëfyer se Marley nuk vdiq si pasojë e kancerit në moshën 36-vjeçare, por u vra pikërisht nga ai. Mediat amerikane shkruan se Oxley ka thënë se ka kërkuar vrasjen e Marley-t, midis 17 vrasjeve të tjera, për qeverinë amerikane midis viteve 1974 dhe 1985, në një kohë kur CIA ishte “ligj më vete”. 79-vjeçari, i cili ka punuar si agjent për 29 vite, u përdor shpesh si sulmues për objektivat që konsideroheshin “kërcënim për interesat e Shteteve të Bashkuara”.

“Nuk kisha asnjë problem me procedimin për vrasjen e Bob Marley sepse isha patriot, besoja në CIA dhe nuk pyeta asnjëherë për motivin. E kam kuptuar gjithmonë se ndonjëherë duhet të bëhen sakrifica për të mirën më të madhe”, ka shtuar Oxley. “I dhashë atij një palë Converse All Stars. Kur veshi konversat bërtiti ‘OUUUCH’. Kjo ishte. Jeta e tij mbaroi aty. Gozhda në këpucë u prek me viruse dhe baktere të kancerit që i prekën lëkurën”, ka rrëfyer 79-vjeçari. Gjithashtu ai ka treguar se ka mbajtur kontakte të ngushta me legjendën e muzikës gjatë viteve të fundit të jetës së tij. Kjo, për t’u siguruar që këshillat mjekësore që këngëtari mori në Paris, Londër dhe Shtetet e Bashkuara, do të shpejtonin vdekjen e tij, pasi Marley vdiq 4 vjet pasi u diagnostikua me kancer. “Herën e fundit të e pashë Bobin para se të vdiste, ishte dobësuar shumë. Ai ishte shumë i mbyllur, u tret para nesh. Kanceri kishte bërë punën”, thotë Oxley.

Ndërkohë në fund të viteve ’60, në fillim të viteve ’70 ka pasur një seri vrasjesh të profilit të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Kur erdhi koha e Bob Marley, menduam me finesë. Jo më plumba dhe tru të spërkatur”, vijon ai. Lidhur me vdekjen e Marley-t, CIA ka mohuar çdo përfshirje në vdekjen e tij, por rrëfimi i Oxley përputhet me gjetjet e shkencëtarëve Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2014. Ata zbuluan se melanomat misterioze të acraleve, lloji i rrallë i kancerit të lëkurës që shkaktoi vdekjen e Marley, nuk u shkaktua nga dielli. Madje edhe djali i tij, Ziggy, në një intervistë në vitin 2013, ka lënë të nënkuptohet se i ati mund të jetë vrarë: “Unë nuk e di se çfarë të besoj … ka shumë teori”, tha ai. Ajo që nuk dihet, është arsyeja përse CIA do të donte të vriste Marley. E vetmja arsye mund të gjendet te disa këngë të Marley kundër CIA-s, pasi në fund të viteve 1970, Xhamajka u mbush me armë të lira, heroinë e kokainë, sundim të bandave të krimit, dhe sipas kryeministrit Maurice Bishop, këto ishin “përpjekjet e CIA-s për të shkatërruar ekonominë”, shkruan Panorama Plus.