Bëri videon e skandalit në Dinamo-Laçi, Artan Hoxha: Më kërcënoi drejtori i kurbinasve dhe Kleo Laska. I denoncova në polici

Gazetari investigativ Artan Hoxha, ka denoncuar në “Procesi Sportiv” një ngjarje të rëndë që pason atë të ndeshjes Dinamo-Laçi të tre ditëve më parë. Gazetari kishte publikuar në fund të asaj ndeshje pamjet kur nga tribunat, mbështetës të Laçit bënin presion ndaj gjyqtarit që të mos anulonte golin e kurbinasve në mbyllje të sfidës.

“Ibraimi i Dinamos, nuk dilte nga dhomat e zhveshjes, sepse si kanë lënë gjë aty pa bërë. Kompania që kishte sigurinë nuk ndërhynte. Duhet të njoftohej policia e shtetit dhe të merrej ajo, sepse 4-5 veta problematikë janë. Kapiteni i Dinamos i kërkoi arbitrit shpjegim, shikojë se mund të jetë pozicion jashtë loje. Në atë moment ata iu sulën. 4-5 vandalë hodhën poshtë gjithë arritjet e Laçit. Nuk janë as tifozë të thjeshtë.

Publikova videon sepse ishte një ngjarje që dukej e rëndë për javën e dytë të kampionatit se si mundoheshin të ndikonin të pashqetësuar edhe në vendimin e VAR-it. Ajo që ndodhi është se menjëherë filluan telefonatat dhe kërcënimet: “Kush je ti? Çfarë ke me Laçin?”. Këto janë njerëz që i kanë krahët e ngrohta nga FSHF dhe nuk u ndodh asgjë ndaj janë mësuar të bëjnë gjëra të tilla. Kjo kompani sigurie, skuadrat e tjera i bën zap, me këta s’ka çfarë bën dhe ngre duart lart.

Por jo vetëm kaq. Isha në stadium dje për të ndjekur ndeshjen Tirana-Egnatia në “Selman Stërmasi” dhe isha mes kolegësh në tribunën e mediave. Në pushimin e ndeshjes vijnë tre persona dhe më kërcënuan ndërsa bëja detyrën time, më sulmuan. Një situatë absurde aq sa kolegët u kthyen nga ana tjetër. Kërkova të ndërhynte Policia e Shteti, por duhet të jepte OK-in kompania e sigurisë.

Po kush ishin këta njerëz? Ishte drejtori i klubit, ishte djali i presidenti, Kleo Laska, si dhe një person tjetër që shoqërohet me këta. Nuk janë tifozë, po të ishin tifozë do t’i kisha mirkuptuar. Janë persona të cilët e them i kanë krahët e ngrohta e nuk i ndal kush. Nuk kam asgjë me Laçin, kanë ekip të shkëlqyer, por janë persona të tillë.

I kam bërë denoncim në polici. Por kur shkon puna pastaj atje ose do të kërkohen pamjet filmike të kamerave të sigurisë që nuk t’i jep kush, ose të kërkohen dëshmitarë. Po kush të dalë dëshmitar aty, Ylli Aga që ishte ngjitur? Kolegët u kthyen nga ana tjetër në ato momente. Sulmi u bë që të gjithë kolegët e mij ta qepnin gojën dhe mos guxojnë më të merren me ata që drejtojnë skuadrën.

E kam pyetur shpesh veten se pse Gëzim Sinemati nuk shkon në stadium dhe në situatë si kjo e kuptova. Nuk shkon sepse atje të bëjnë agresion për atë që thua”, tregoi Hoxha këtë eksperiencë të fundit me personazhet e futbollit shqiptar.

PANORAMASPORT. AL