Beniada Nishani: Unë mbesa e Presidentit e preferuara e italianëve, fama nga “Le Iene” tek fletët e kalendarit “hot” 2017
Beniada Nishani (Jakic) është biondja elegante shqiptare, që po bën karrierë si modele dhe showgirl në Itali. Ajo ka lindur në Durrës më në vitin 1991, ku jetoi vetëm dy vite pas zhvendosjes së familjes në Itali. 25 vjeçarja Beniada Nishani njihet jo vetëm si fotomodele por edhe si personazh televiziv në programin investigativ “Le Iene” të Mediaset. “Shumë persona kuriozohen për origjinën time, duke u nisur nga mbiemri Nishani. Unë jam mbesa e Presidentit Bujar Nishani që është kushëriri i tim eti, dhe bashkë ata janë si vëllezër. Por në karrierën time në Itali përveç mbiemrit Nishani kam vendosur të prezantohem me emrin e artit, Beniada Jakic (mbiemri i nënës sime)”, tha ajo për “Story”. Duke folur më tej për karrierën dhe famën në Itali më tej tregon: “Unë jam një nga 12 vajzat e kalendarit 2017, që ka dalë në treg për këtë Vit të Ri”. Po kush është Beniada Nishani? “Kam mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura për “Fashion Design”. Në vitin 2013 kam marrë pjesë në konkursin e bukurisë “Miss Italia” duke marrë fashën e “Miss Ravenna 2013”. Më pas kam pozuar për shumë fotografë të njohur si; Alberto Buzzanca, Federico Barbieri, Andrea Ponzelli dhe Enrico Riacciardi” e nis prezantimin e saj për revistën “Story”, Beniada.
Beniada në kalendarin 2017 të Enrico Ricciardi, fotografi që ka zbuluar Nina Moric e Belen Rodriguez
Për Vitin e Ri 2017-të Beniada është protagoniste për kalendarin e Enrico Ricciardit, fotograf i famshëm nga Milano që ka zbuluar disa “show girl” të njohura në Itali, nga Nina Moric e deri tek Belen Rodriguez. Kalendari i bazuar në temën “12 muajt e vitit mes ushqimit dhe erotizmit” është frymëzuar nga “Food and Beverage” dhe do të prezantohet në Miami, në Florida në muajin shkurt, në bashkëpunim me shef Walter Martino, i njohur në SHBA si “The million dollar chef”. Pjesëmarrja e Beniadës si fotomodele e kalendarit të Ricciardi vjen pas eksperiencave në Catalogo di Moda për Marino Fabiani, pjesë e koleksionit 2017 si dhe një tjetër projekti si fotomodele në Milano.
Fama në radio si komentatore sporti, dhe në TV tek “Le Iene”
Kur e pyet Beniadën për përfshirjen e saj në botën e showbiz-it në Itali, ajo tregon për “Story”: “Nuk kam marr pjesë vetëm në modë, por edhe në radio dhe televizion. Verën e kaluar kam qenë e ftuar shumë herë në radio 102.5 Fm për të komentuar ndeshjet që bënte Shqipëria. Kurse me 11 dhjetor kam prezantuar bashkë me Nadia Toffa, Matteo Viviani e Giulio Golia, një pjesë tek “Le Iene” në Mediaset, përfundon rrëfimin e saj Beniada.