“Ata nuk e vodhën fitoren në Eurovizion”/ Franca tërhiqet nga akuzat, s’do paraqesë asnjë ankesë ndaj grupit italian

Pas polemikave të ashpëra, Franca ka vendosur të tërhiqet nga akuzat, duke e njohur fitoren e grupit italian “Maneskin” në Eurovizion.

Grupi italian u kritikua, pasi vokalisti i grupit u akuzua për përdorim të kokainës live në televizion.

Çështja u shndërrua në një përplasje diplomatike, pasi ministri i Jashtëm francez, Jean Yves Le Drian kishte kërkuar skualifikimin e grupit.

Lajmi është konfirmuar nga drejtori i Televizionit Publik Francez, Delphine Ernotte, i cili u intervistua nga gazeta Le Parisien, duke theksuar se “Franca nuk ka ndërmend për të paraqitur një ankesë, pavarësisht rezultatit që mund të dalë nga testi i drogës”.

Ernotte tha se votimi ishte shumë i qartë në favor të Italisë.

“Ata nuk e vodhën fitoren dhe kjo është ajo që vlen”, tha ai.

Gjithçka filloi pasi në media qarkulluan disa pamje dhe u tha se ato tregojnë momentin kur këngëtari italian, fitues i Eurovizionit, ishte duke marrë kokainë.

Damiano David, këngëtari kryesor i grupit që fitoi Festivalin Europian, hodhi poshtë këto pretendime.

“Unë nuk përdor drogë, ju lutem mos e thoni këtë”, u shpreh artisti.

Edhe vetë grupi doli me një deklaratë për këtë rast, duke sqaruar: “Ne jemi vërtet të tronditur për atë që disa njerëz po thonë për Damianon. Ne me të vërtetë jemi kundër drogës dhe kurrë nuk kemi përdorur kokainë. Ne jemi gati të testohemi, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur”.

Dyshimet janë krijuar për shkak të pamjeve dhe mënyrës se si është bërë lëvizja e artistit italian.