Arrestohen 2 të rinjtë nga Kosova, furnizonin me drogë klubet në Dhërmi

Përmes operacionit policor të koduar “Room 3”është goditur një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza në Dhërmi. 2 të rinj nga Kosova janë arrestuar nga policia pasi shpërndanin këto drogëra. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Toyota” me të cilin qarkullonin T. T., 31 vjeç dhe E. K., 25 vjeç dhe gjatë kontrollit të dhomës në të cilën ishin akomoduar, në Dhërmi, u gjetën dhe u sekuestruan 87 doza me lëndë të dyshuar narkotike MDMA, 522 tableta të dyshuara ecstasy, rreth 80 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 19 doza me kërpudha haluçinogjene, lëndë narkotike e dyshuar kanabis në formë çokollate dhe në formë boçeje, 2 aparate celulare, një peshore elektronike dhe një sasi parash (eurosh dhe lekë) e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndëve narkotike.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta dy shtetas u shisnin lëndë narkotike personave të ndryshëm, përdorues të lëndëve narkotike, në zonën e Dhërmiut, kryesisht në lokalet e natës.