Armando Broja rrëfen si ndikoi dëmtimi psikologjikisht tek ai: Ishte një nga pikat më të ulëta

Sulmuesi shqiptar i Chelsea, Armando Broja është ende në fazë rikuperimi pas dëmtimit që e mbajti larg fushave për thuajse 11 muaj. Koha e gjatë pa luajtur futboll, ka ndikuar tek futbollisti jo vetëm nga ana fizike. Në një intervistë ai ka pranuar se dëmtimi e goditi edhe psikologjikisht.

“Ka qenë dëmtimi më serioz që kam patur. Ishte një nga pikat më të ulëta të karrierës time që ndikoi edhe në mentalitetin tim. Nuk ishte e lehtë të qëndroje larg sportit. Shihja ndeshjet dhe analizoja veten dhe aty kuptova se sa e doja unë futbollin dhe se sa dua të ecja përpara dhe të bëja më shumë për skuadrën”.

Broja ndjen ende përgjegjësinë se duhet të bëjë më shumë për të qënë i vlefshëm për skuadrën e Chelsea.

“E di që vij nga një kohë e gjatë si i dëmtuar dhe tani e di që duhet t’i tregoj trajnerit, stafit, klubit dhe tifozëve se po përmirësohem dhe se kush jam. Jam me fat për pozitat ku ndodhem, për impaktin që kam dhe ndikimin tim në ndeshje dhe të ndihmoj skuadrën”.

Dëmtimi në gju e la Brojën edhe jashtë kombëtares në kualifikueset e Europianit. Por trajneri Sylvinho e ka konsideruar gjithnjë lojtar të rëndësishëm për skuadrën dhe pritet që të përfshihet në grumbullim në miqësoret e Marsit dhe ndoshta në fazën përgatitore para finaleve të Europianit.

Classlifestyle