Albi Nako për komentet e Ilir Shaqirit: ‘Kam vënë re një lloj diskriminimi’

Albi Nako është i mendimit që Ilir Shaqiri, kryetari i jurisë së “Dancing with the stars”, duhet të jetë më i kujdesshëm me komentet e tij kundrejt balerinëve profesionistë në spektakël, sepse sipas tij, ka një lloj diskriminimi.

“Iliri duket se e kishte mprehur shpatën përsa i përket edhe balerinëve. Për shembull, Arnitës i tha që ‘ty të duhet një balerin që të të shkundë, siç është Dioni i fuqishëm’,” i tha moderatorja Kiara Tito Albi Nakos në “Dancing with the stars – Fan Club”. Kujtojmë se Arnita Beqiraj kërcen me balerinin Eni, ndërsa balerini Dion Gjinika kërcen me Juliana Nurën.

“I dëgjova këto punët e shkundjeve dhe tundjeve, por mendoj që duhet të jemi të kujdesshëm me pjesën e shprehjeve sepse kam vënë re një lloj diskriminimi, deri diku mund ta them, të pjesës tjetër të kastit. Kam vënë re Ilirin që citon Dionin si monument kulture, citon Luixhinon si ekselent, pa pasur asnjë diskutim për profesionalizmin e tyre. Por kjo, dashje-padashje, krijon një lloj deprinimi tek pjesa tjetër e kastit,” u shpreh Nako.

“Unë mendoj se kjo krijon një përqasje tjetër tek VIP-at, që duke kërcyer me monumente kulture që theksohen nga juria, krijohet një ide e gabuar, që ne që kërcejmë me këta monumente e kemi garën deri diku edhe të marrë. Krijon një përshtypje të gabuar. Unë e quaj deri diku edhe diskriminim. Duhet të jemi pak më të kujdesshëm, duhet të jenë të gjithë të barabartë,” shtoi ai më tej.

Sipas Albi Nakos, disa balerinë “përkëdhelen”, ndërsa disa të tjerë, “juria nuk i do”.

“Unë mesa vë re ka një diçka që disa përkëdhelen, disa jo. Këtu mund të them dhe rastin e Gracianos që e shoh sikur juria nuk e do. Siç është rasti i Gracianos që është balerin i shkëlqyer, ashtu është edhe Odeta [Dishnica], është edhe Tokja [Elton Merja], pa diskutuar fare vlerën e Dionit dhe të Luixhinos.”

Anabelmagazine