Aktorja Eva Alikaj vjen me rrëfimin për jetën: Divorci ishte shumë i vështirë, djali ishte vetëm 4 vjeç dhe unë nuk flisja as gjermanisht!
Aktorja e njohur dhe shumë e pëlqyer nga publiku shqiptar, Eva Alikaj ka qenë gjithmonë e rezervuar për jetën e saj private. Mirëpo, këtë herë në emisionin “Pas Mesnate”, ajo ka folur për gjithçka, nga marrëdhënia me të birin, jetesa në Austri dhe vështirësitë që ka kaluar pas divorcit.
Mes emocionesh Eva ka treguar se ndihet e lumtur që djali është violinist në Zvicër dhe pse ftohtësinë në marrëdhënien nënë-bir nuk e do.
Ajo ka theksuar se herë pas here mundohet t’i jap atij shembuj se si të jetë sa më i afërt. Sakaq, aktorja është ndalur dhe te jetesa me nënën e saj, gjë që kur shqiptarët e marrin vesh habiten.
“Nuk ka qenë e lehtë jeta në Austri. Kam rritur një djalë. Ai tani është muzikant në Bazel të Zvicrës për viol.
Marrëdhënia ime është kjo, që unë jam shumë e lumtur që ai arriti të jetë i zoti i vetes, në një profesion që e do, në një vend që e do, me një vajzë që e do, por gjithmonë një ngërç i vogël sepse është bërë shumë zvicerian. Jam mami shqiptare, i them si mund të jem ndryshe. Ti duhet të jesh pak më shqiptar, i them sepse je rritur me shqiptarët.
Shqiptarët habiten kur i them që unë jetoj me mamin. Mua më duket e natyrshme, jam vajzë e vetme, s’kam pse të mos rri me mamin. Ka njerëz që nuk mund të rrinë sepse kanë punën, ka raste që nuk mund të jetë e mundur. Por të jetë kështu kjo, që shqiptarët të bëhen kaq modernë për 30 vjet, kaq të sipërfaqshëm, kaq të ftohtë. Më vjen shumë keq për këtë. Unë luftoj akoma me djalin tim për këtë. Për shembull, erdhi përpara dy muajsh në Vjenë dhe erdhi fillimisht te shoku se kishte ditëlindjen. Mua nuk më pëlqen kjo gjë, që nuk erdhi menjëherë te gjyshja e moshuar dhe pastaj të shkonte te shoku. Ja jap shembullin se si duhet të sillet, edhe pse ai tani është një burrë i rritur, do bëhet baba.
Divorci ka qenë shumë i vështirë për mua, sepse në atë kohë unë nuk flisja mirë gjermanisht, djali ishte 4-vjeçar, më duhet të punoja. Në atë kohë isha me mamin se babit nuk i pëlqente të vinte në Austri, ka ardhur më vonë. Ishte shumë e vështirë”, rrëfeu aktorja Alikaj.
liberale.al