Ajsi Xhaxhaj: I shëmtuar, por i bukur në sytë e mi? Padyshim ky do të jetë bashkëshorti im dhe dashuria që më deh
Mosha reale dhe ora jote biologjike?
Në 7 Maj unë festoj ditëlindjen time të 22-të. Nuk e kam pranë mamin ta pyes për orën biologjike.
Kur dëgjon togfjalëshin “prostitutë e trafikuar” çfarë të vjen të thuash?
Fjalët s’tregojnë asgjë për karakterin tim, por tregojnë shumë për karakterin e atyre që i përdorin këto fjalë.
Pija që të deh?
E deh unë pijen para se të më dehë ajo. (qesh) Nuk pi alkool dhe nuk jam bërë kurrë tapë.
Çfarë të bën tapë atëherë?
Ndoshta do të më dehë dashuria kur të vijë… Deri tani asgjë. Jam jo e dehur.
S’je e dashuruar domethënë?
Shpresoj të ma marrë zemrën ndonjë djalë që të kem përgjigje për këtë pyetje.
Pse thua “shpresoj”, ke humbur besimin tek djemtë?
Në fakt, unë jam shumë e kujdesshme në njohjet e mia. E kam deklaruar gjithnjë, që djemtë janë më pozitivë se sa femrat, por kurrë nuk i dihet kë ke përballë. Mendoj se dashuria lind vetvetiu, nuk besoj në dashuri me shikim të parë. Kështu që padyshim kur i falet besimi dikujt, dashuria është rrugës…
Një i shëmtuar, por i bukur në sytë e tu, si mund të ishte?
Si mund të ishte nuk e di, por padyshim do të ishte bashkëshorti im. (qesh).
Partnerin e preferon disa vite më të ri apo disa vite më të madh?
Unë kam nevojë për dikë që të jetë burrë përkrah meje, ndaj pa e menduar dy herë do të zgjidhja mashkullin disa vite më të madh. Pra jo më të ri se vetja.
Zgjedh familjen apo liri të plotë?
Padyshim, familjen.
Nata që të çmend për mirë dhe për keq?
Më çmend nata kur kam pagjumësi.
Aktori që të josh?
Dje, sot dhe nesër, edhe pse jo më në këtë botë, i vetmi Marlon Brando.
Muzika që të fut thellë në mendime?
Qoftë e lehtë apo ritmike, është ajo që ka gjithmonë një tekst me kuptim dhe fabul.
Për romantike apo racionale e mban veten?
Racionale.
Preferon udhëtimet me motor, X6 apo biçikletë?
(qesh) Motorin jo, se e kam fobi. Biçikletën vetëm 1 orë në ditë për të mbajtur trupin në formë, X6 për t’u ndjerë komode.
Sportin apo kërcimin?
Sportin.
Çfarë të trishton në maksimum?
Injoranca dhe maskilizmi tek populli ynë, si dhe kafshët e pastreha.
Çfarë është maskilizmi dhe si përjetohet nga vajzat apo gratë?
Në fakt, ajo që më trishton më shumë është se femrat janë maskiliste këtu tek ne, duke i hequr vetes apo një femre tjetër çdo lloj të drejte apo prioriteti, si dhe krenarie nga të qenurit femër.
Sikur të ishe djalë çfarë do të bëje?
Do të ishte shumë e mërzitshme, ndaj s’kam përgjigje.
Nëse do të gjendeshe në një darkë mes diplomatësh, si do të silleshe?
Kam qenë në një drekë me diplomatë, në fakt. Mua gjithmonë më ka karakterizuar kujdesi në tavolinë. Mbaj mend se atë drekë e kam shijuar pa masë dhe pa sforco.
Tek ty dominon bukuria apo zgjuarsia?
(qesh) Padyshim zgjuarsia.
Bukuria që të çmend si është?
Unë mendoj se e bukura është bajate, ndaj nuk të çmend kurrë.(qesh)
Atëherë çfarë të çmend ty?
Ndoshta dikush që di shumë, di të flasë, di të tregojë. Dikush që lexon, kjo më çmend, e sigurisht pozitivisht.
Kujt mund t’i thuash je seksi?
Dikujt që flet gjëra të bukura.
Aktori shqiptar që nuk mund t’i thuash “jo” për skena erotike me të?
Qoftë i rënë nga qielli, unë sërish nuk bëhem pjesë e skenave erotike. E megjithatë ne kemi aktorë meshkuj shumë simpatikë si: Blerim Destani e Nik Xhelilaj.
Një aktore mendon se duhet t’i ketë problem këto skena në ditët e sotme?
Mendoj se të jesh aktore duhet të pranosh gjithçka, por ka dhe nga ato aktore, si unë për shembull, që i kanë vendosur vetes disa pika që duhen respektuar. Unë bëj një skenë puthjeje, përqafimi, por kaq. Për mua po flasin me hiç gjë, imagjinoni t’u japim material. (qesh)
Po te djemtë, çfarë të tërheq në momentin e parë?
Sigurisht, në fillim paraqitja e jashtme, thonjtë e duarve, si dhe këpucët. Padyshim që më pas, personaliteti është ajo që të mban lidhur me dikë.
Në takimin e dytë?
Diskutimet, padyshim.
Kur mund t’i heqësh vizën dikujt?
Kur ai/ajo është mosmirënjohës.
Kulmin e delikatesës si vajzë, kur mund ta shohim?
Kur mbaj një foshnjë në duar… Nëse flasim për këtë delikatesë. (qesh) Por unë shpesh e përdor delikatesën edhe kur u drejtohem të tjerëve.
Arrogante kur bëhesh?
Kur dikush mundohet të më ofendojë inteligjencën dhe të mendojë se “po ma hedh”.
Arma jote më e fortë atëherë?
Jam vetë unë. Kryeson durimi.
Talenti yt më i spikatur në art?
Unë jam spikatur në shumë fusha, aktrim, kërcim, këngë dhe prezantim. Por si prioritet kam aktrimin. Gjërat e tjera thjesht më plotësojnë si figurë arti.
Çfarë planesh ke për veten në jetë?
Në fakt, unë kam dëshirë të depërtoj jashtë vendit. Kam filluar të krijoj disa lidhje pune të cilat mund të më çojnë jashtë kufijve, në Europë. Por kokën padyshim e kam këtu në Shqipëri.
Nëse do të shkruaje librin e jetës, si do ta titulloje?
Më futët në mendime, se nuk e kisha menduar kurrë. Por do ta titulloja “Çelsi”, sepse shumë gjëra i mbylla me çelës, të tjerët më thanë bëre gabim. Më pas i hapa me çelës, sërish bëra gabim. Më pas gjeta çelësin që të mos dëgjoj asnjë opinion dhe të jem e lumtur.