Adelina Ismajli dhe motrat e saj mungojnë në gjyqin për vrasjen e ish-partnerit
Në gjykimin që po zhvillohet ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës, në seancën e sotme, ishte paraparë të dëshmojë këngëtarja Adelina Ismaili, mirëpo e njëjta nuk është paraqitur në gjykatore.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Agim Kuçi, për të njëjtën në fletëkthesë është shënuar se është adresa e panjohur.
Në gjykatore nuk janë paraqitur as motrat e saj, Zanfina e Ema Ismajli, ku për të njëjtat në fletëkthesë është shkruar se adresa rezulton e panjohur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca në këtë rast po vazhdon me dhënien e dëshmisë së dëshmitares Kaltrina Berisha, e cila ka deklaruar se bashkëshorti i saj të akuzuarin Sekiraqa e ka djalë të hallës.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.