“Aborti është vrasje”, Pano: A mundet dikush të marrë vendimin të jetojë apo jo një qenie njerëzore
Vendimi i Gjykatës Supreme që shfuqizon të drejtën e abortit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka ndarë njerëzit në dy grupe, pro dhe kundër.
Në një diskutim në Top Story për këtë temë, pastori Akil Pano është i mendimit se marrja e vendimit për abort, në thelb është vrasje.
Pano tha se që në momentin e ngjizjes, kemi të bëjmë me qenie njerëzore, për të cilën nuk mund të vendosë askush që ajo të mos jetojë.
“Unë e shoh abortin si braktisje. Fjala abort është braktisje. Nëse e shohim më thellë është vrasje. Keqkuptimi i dytë që unë shoh është përdorja e lirisë si një kostum për të mbuluar ndalimin., është vrasje e një qenie njerëzore. Kur qenia është në fazat e para të ekzistencës që nis me ngjizje dhe formimin e embrionit, këtu kemi të bëjmë me jetën. Pyetja që shtroj është a mundet që një person për të përcaktuar një vendim të jetojë apo jo një qenie. Një nga përgjegjësitë që ne kemi është të administrojmë lirinë dhe kjo duhet të jetë në funksion të jetës dhe të mbrojtjes së saj”, tha Pano në Top Story.
Me vendimin e Gjykatës Supreme, aborti nuk është bërë me automatizëm ilegal në SHBA, mirëpo shtetet mund të vendosin nëse do të lejojnë diçka të tillë. Rreth 26 shtete pritet të vendosin ndalesë apo të kufizojnë abortin në javët në vijim. Të paktën shtatë shtete brenda SHBA, të banuara nga 16 milionë gra në moshë riprodhimi, tashmë kanë vënë ndalesa, prej kur Gjykata Supreme ka shfuqizuar ligjin Roe v wade, siç njihet ndryshe vendimi që ka garantuar abortin për gati 50 vjet në territorin amerikan.
Top Channel