Vrasja e Jurgen Kurtit, tabulatet rrëzojnë dëshmitarët: Olsi Qalliaj nuk ndodhej në Tiranë natën e krimit

Jurgen Kurti dhe Olsi Qalliaj

Nga deklarimet që ka dhënë në prokurori Elsi Levendi, me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, ka shpjeguar se më datë 18 mars 19, rreth orës 18:00, ai është takuar me Klodjan Banen (Buxhuku) dhe pasi ka biseduar pak me të ai është larguar në drejtim të Stadiumit “Dinamo” dhe kur ka qenë në afërsi të sheshit “Willson”, atij i ka ardhur një mesazh në telefonin e tij nga një numër i paregjistruar, ku i thuhej: “…kalo pak te lagjja mbrapa Postës nr.8 dhe shiko mos shikon Jurgen Kurtin dhe më thuaj nëse e sheh këtë person…”. Ai i është përgjigjur duke i thënë se nuk e njihte, por atij i ka ardhur edhe një mesazh tjetër ku i thuhej: “…vetëm rri aty, nëse e shikon më njofto…”. Më pas ai është ulur në një lokal me verandë për rreth një orë dhe duke qëndruar në këtë lokal për një moment ai ka parë që Jurgen Kurti ka dalë nga palestra dhe i ka dërguar mesazh numrit pa emër duke i shkruar: “…doli një person, por nuk jam i sigurt nëse është ai personi…”. Në moment i ka ardhur një mesazh ku i thuhej: “…është një djalë i gjatë, i bëshëm…”. Pasi ai e ka shoqëruar me sy këtë person për disa sekonda dhe pasi ky person ishte larguar, ai ka dëgjuar disa të shtëna armë.

Elsi Levendi, në shpjegimet e tij ka sqaruar se pasi ka dëgjuar krismat është trembur dhe është larguar me këmbë para Postës nr.8, ka marrë një taksi, është ulur në sediljen e pasme dhe pasi kanë kaluar Kopshtin Zoologjik i ka kërkuar shoferit të ndalonte pasi donte të blinte cigare. Shoferi ka ndaluar, ai ka zbritur, ka blerë paketën me cigare dhe ka shkuar poshtë pallatit, ku i ka dhënë lekët shoferit të taksisë e më pas është ngjitur në banesë. Pas rreth 10 minutash i ka telefonuar Klodi Bane, i cili i ka kërkuar të zbriste poshtë. Ai ka zbritur, është takuar me Klodin, i cili i ka ardhur me automjetin “Audi A6”, me targë AA 301 RM. Ka qëndruar poshtë pallatit me të 5 minuta dhe më pas janë ngjitur të dy në shtëpinë, ku kanë ndenjur pak dhe më pas e ka përcjellë Klodin poshtë pallatit, i cili është larguar me “Audin” që erdhi. Me këtë mjet,Elsi Levendi shpjegon se e kishin shoqëruar në Polici atë ditë, pra më datë 25 mars. Levendi shpjegon se ditën e nesërme, më datë 19 mars, poshtë pallatit të tij ka shkuar Klodian Bane (Buxhuku). Ai i ka thënë se nëse donte të lëvizte me automjet, të merrte çelësat e makinës tip “Mercedes Benz”, me targë AA VN, të cilat ia ka dhënë. Ky automjet ndodhej i parkuar poshtë pallatit të tij, por që Elsi Levendi nuk kishte dijeni se kush e kishte parkuar. Me këtë automjet Levendi ka lëvizur nga mëngjesi deri pasdite, rreth orës 18:00, ku më pas e ka parkuar prapa Stadiumit “Dinamo” dhe çelësin ia ka dhënë Klodjan Banes. Po kështu, ai ka shpjeguar se nuk mbante mend numrin telefonik që i ka dërguar mesazhe, por mendon se mesazhet mund t’i ketë dërguar dikush i njohur nga shokët e tij, Klodjan Bane, Olsi Qalliaj ose Alesio Berberi. Automjeti “Audi” me targa AA 301 RM, është në pronësi të Olsi Qalliajt, ndërsa automjeti “Mercedes Benz E Class”, me targa AA 225 VN, është në pronësi të Klodjan Bane. Në vendimin e saj, gjykata e Apelit Tiranë thotë se gjatë këqyrjes së DVD-së së tabulateve tregon se Olsi Qalliaj nuk ka qenë atë ditë në Tiranë, por në Patos, Fier, Kavajë dhe në Kashar. Nisur nga ko situatë, gjykata e Apelit ka argumentuar se nuk qëndron dyshimi i arsyeshëm për të vijuar mbajtjen në qeli të Olsi Qalliaj, dhe për pasojë ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim për tu paraqitur para oficerit”.

G.M./Shqiptarja.com