Vani Gjuzi: Vajzat më gjuajnë vetë të parat, të bëhem dhëndër është në planet e mia!

Këngëtari i njohur publikon hitin e fundit të dasmave dhe rrëfen eksperiencën e re si model i kostumeve të Joni Peçit. I njohur si këngëtar i muzikës së Shqipërisë së Mesme, Vani Gjuzi nga Tirana, në bashkëpunimin e fundit me Hekuran Krasniqin, sjell një hit që do të këndohet në dasma nga Veriu në Jug. Së fundi ai ka provuar edhe modelin për kostumet e modës së lartë të stilistit Joni Peçi. Për bashkëpunimin më mbresëlënës në muzikë, ritualin për të pasur trupin e modelit, femrat që e lakmojnë, plani për t’u bërë dhëndër dhe paratë që fiton nga muzika, Vani rrëfehet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Sapo keni publikuar një duet me këngëtarin nga Kosova, Hekuran Krasniqi. Jeni me pretendimin se ky do të jetë hiti i vërtetë i dasmave?
Absolutisht po. Është këngë e projektuar enkas për dasmat shqiptare, ku qëllimisht fillon si valle jugu dhe mbaron në veri.

Si u bëtë bashkë në këtë projekt, ishe ti që e kërkove Krasniqin apo ai ty?
Pas një diskutimi miqësor prej shumë kohësh me Hekin, me të cilin kemi biseduar për disa projekte, për rastin konkret, pikërisht klipin “Boni Mashallah”, ishte ai që më ftoi për bashkëpunim.

Të jesh këngëtar dasmash është vërtet fitimprurëse. Ti mes një date koncerti dhe një date dasme, cilën do të zgjidhje?
Sigurisht që në dasma shqiptare kalohet bukur, ku nuk mungon as paraja. Unë personalisht, mes një dasme dhe një koncerti s’do bëja zgjedhje, pasi në të dyja u bë shume vite tashmë që jam i pranishëm.

Nga bashkëpunimet që ke bërë deri tani, cilin do të veçoje, që të ka lënë më shumë mbresa?
Nga bashkëpunimet, të cilat kam realizuar me shumë kolegë, mbresëlënës për mua është dueti që kam me Çiljeta Xhilagën, këngën me titull “Sonte më dhemb zemra”.

Përveç muzikës ke pozuar edhe si model i kostumeve të Joni Peçit. Çfarë të lidh me modën?
Ishte një ftesë nga vetë Joni Peçi, i cili më zgjodhi mua si imazh kryesor për të reklamuar kostumet e tij.

Modelingun gjithmonë e kam pasur planin B. Të kesh trupin e modelit kërkon sakrifica. Ti si e mban veten në formë?
Unë merrem me palestër dhe futboll.

E sheh veten dhëndër ashtu si me kostumet e Joni Peçit dhe, a mund të jetë ajo këngëtare?
Sigurisht që do bëhem dhëndër e s’do bëja dallim këngëtare apo jo. Këtë gjë ia kam lënë të madhit Zot në dorë.

Në marrëdhënie me vajzat, je ti ai që gjuan apo të gjuajnë ato ty?
Në marrëdhënie me vajzat janë ato që gjithmonë më kanë parë, apo më kanë gjuajtur më tepër, gjë e cila ndodh kudo nëpër botë me artistë.

Dhe për çfarë të komplimentojnë më shumë?
Më shumë komplimente kam marrë dhe vazhdoj e marr falë aparencës, po ashtu dhe për sytë.

Me bukurisë origjinale dhe asaj plastike, e ke problem të zgjedhësh?
Normal, preferenca ime ka qenë dhe do të jetë gjithmonë për bukurinë origjinale, të cilën Zoti e ka krijuar.

Shumë këngëtarë janë pasuruar nga muzika. Ti çfarë ëndrrash ke bërë realitet nga talenti yt?
Është e vërtetë që shumë këngëtarë e këngëtare janë pasuruar dhe vazhdojnë të pasurohen nga muzika. Si të gjithë, edhe unë prej në vogëli kam ëndërruar të bëhem ky që jam sot. Kështu që, faleminderit Zotit për çfarë më ka dhënë! Shumë nga ëndrrat tashmë më janë bërë realitet./PANORAMA PLUS