Sabina Dana: Si u njoha me bashkëshortin gjatë një koncerti, tani ditët e mia nisin dhe mbyllen me Enean e Dahlin përveç rasteve kur…

“Mos bo zo” titullohej klipi i ri i këngëtares Sabina Dana, në skenat e të cilit shfaqej me linja të kuruara pas një viti pauzë, që kur u bë nënë për herë të parë e vajzës Dahlin. Në këtë intervistë për revistën “Story”, Sabina rrëfen rastësinë e bukur që e takoi me bashkëshortin Enea, jeta si prindër të rinj, pushimet, si i ruan balancat mes familjes dhe muzikës, e disa sekrete bukurie që vlejnë:

Vargjet e cilës këngë dëshmojnë dashurinë që ti ke provuar realisht me bashkëshortin?
Vargjet e këngës “Jo nuk ka” i përkushtohen dashurisë sime, sepse kjo këngë është bërë pikërisht vitin që jam njohur me bashkëshortin tim.
Si ndodhi që u njohe me partnerin e jetës?
Njohja ime me bashkëshortin ka qenë e rastësishme në një nga koncertet e mia, por ka qenë rastësia më e bukur e jetës sime. Dashuria jonë u kurorëzua dhe si fryt i kësaj dashurie të madhe erdhi vajza jonë Dahlin. Ndihem e bekuar për familjen time!
Si ka ndryshuar jeta jote pas njohjes me djalin që u bë burri yt?
Jeta ime ka ndryshuar pas njohjes me bashkëshortin tim Enea, dhe pas ardhjes në jetë të Dahlin. Por përsëri pasionin tim për muzikën nuk e kam lënë pas dore. Përveç një periudhe kohore gati 1 vjeçare pasi linda vajzën unë përsëri u riktheva me klipin “Mos bo zo”.
Sa kohë kaloni me vajzën tuaj Dahlin, dhe a mund të na i përshkruash përditshmërinë si prindër të rinj?
Shumicën e kohës e kaloj me familjen time, pasi ata janë pjesë e pandashme e ditës sime. Dita ime fillon dhe mbaron me Enean dhe Dahlin, përveç rasteve kur jam duke u marrë me klipin e rradhës, dhe më duhet të përkushtohem tek kënga apo xhirimet.
Keni menduar sjelljen në jetë të fëmijës së dytë?
Për momentin nuk kemi akoma në plan për fëmijë të dytë, pasi Dahlin është ende e vogël dhe tani dua t’i përkushtohem karrierës.
Pushimet ku do i kaloni, në resorte ku shkojnë të rinj apo familjarë?
Pushimet për këtë vit kemi menduar t’i kalojmë në Jug, dhe më vonë në ndonjë nga resortet e Turqisë. Na pëlqen të vizitojmë vende dhe plazhe të ndryshme gjatë verës.
Së fundi iu riktheve muzikës me një klip, sa të mbështet partneri dhe çfarë nuk i pëlqen atij në të qenit pjesë e tregut të muzikës?
Bashkëshorti im ka qenë mbështetja më e madhe për klipet e fundit. S’mund të them se ka diçka që nuk I pëlqen në tregun e muzikës. Përderisa unë jam pjesë e këtij tregu ai më mbështet në atë çfarë unë dua të bëj. Shpesh jep edhe mendimet e tij në lidhje me këngën, klipin, veshjet.
Të jesh artiste është më shumë diçka e bukur apo e vështirë?
Të jesh artiste është sa e bukur aq dhe e vështirë, sepse duhet përkushtim i madh për t’u paraqitur sa më mirë tek fansat tek publiku. Shpesh herë duhet të lësh “pas dore” familjen për të arritur rezultate të mira dhe të kënaqshme në karrierën tënde. Megjithatë lodhja dhe sakrificat ia vlejnë, kur publiku të mbështet në atë çfarë unë sjell.
Ndodh që shumë angazhime i lë në plan të dytë për shkak të muzikës?
Siç e thashë, jeta si këngëtare është sa e vështirë, aq edhe e bukur. Ka momente kur lodhesh duke dhënë maksimumin për një këngë të re, lë në plan të dytë shumë gjëra, por ia vlen sakrifica kur në fund sheh një rezultat të mirë dhe mbi të gjitha kur ndjen përkrahjen e fansave.