Një milioner si Sabri Fejzullahu ka ç’i dëshiron zemra në të 70-at, zgjedh modelen 19 vjeçare për romancën e fundit artistike

Ka lindur në 16 shtator të vitit 1947, që do të thotë se këtë vjeshtë këngëtari e aktori nga Kosova, Sabri Fejullahu feston 70 vjetorin. Por asgjë në pamjen dhe stilin e tij nuk lidhet me vitet që ka mbi supe. Elegant, i kuruar dhe me veshje markë nga koka tek këmbët. Kjo është pamja e artistit milioner të Kosovës jo vetëm në përditshmërinë e tij, por sidomos në klipe, siç duket në produksionin e fundit “Albanese”. Kënga ritmike që i përshtatet sezonit të verës është ideuar dhe realizuar nga Dashnor Asllani dhe Visor Loku, si një produksion i “Modacity”. Për tekstin dhe muzikën është përkujdesur Kreshnik Avdiu, ndërkaq për klipin “Provsm”. Por të gjithë fansave u ka bërë përshtypje prania e një vajze të bukur e shumë të re në skenat e klipit të artistit, realizuar në Ferizaj në “Berisha Palace”, dhe Prishtinë. Producenti i klipit Dashnor Asllani tregoi për revistën “Story”: “Modelja është 19 vjeçe dhe quhet Albiona Deliu. E zgjodhëm për klipin e Sabri Fejzullahut pasi është shumë e bukur e me përvijëzime të portretit njësoj si modelet e famshme të botës. Por përzgjedhja e saj u bë edhe për çështje politike, pasi ajo vjen nga Presheva që i takon Kosovës, e fatkqësisht është nën Serbi. Ndaj Sabriu thotë në vargjet e këngës se, “nuk është me rëndësi nga vjen, vetëm e di që shqiptare je…”. Sabri Fejzullahu, fituesi i një prej edicioneve të spektaklit të kërcimit të regjisores Vera Grabocka, po punon për publikimin e këngës “Shihemi”, por që do të jetë e zhanrit baladë. Pavarësisht viteve ai ka axhendë të pasur koncertore, një familje të lumtur, ndërkohë që ia ka dalë të vendosë pasuri të konsiderueshme nga muzika.