Nevina Shtylla në krah të Eros Grezdës: U takuam rastësisht, më tha…

Gjatë pushimeve për festat e fundvitit lojtarët shqiptarë të futbollit e kishin shfrytëzuar për t’u kthyer në Shqipëri e për të qëndruar disa ditë me familjarët e tyre dhe njerëzit më të dashur.
Nga Skocia kishte ardhur edhe futbollisti seksi Eros Grezda, i cili gjatë qëndrimit në Tiranë i memorizoi momentet e bukura që kaloi me një foto me moderatoren e njohur të “Procesit Sportiv”, Nevina Shtylla.
Ngacmimet për këtë foto nuk kanë munguar as nga moderatori Edi Manushi në emisionin “Procesit Sportiv”, i cili donte të dinte më shumë për lidhjen e Nevina Shtyllës që fshihet pas kësaj fotoje festive.
Duke qeshur dhe e lumtur, Nevinës i shkëlqyen sytë kur në monitorin e emisionit u shfaq fotoja e saj me Erosin 23- vjeçar. Ajo iu përgjigj ngacmimeve të Manushit, duke i dhënë shpjegime në këtë mënyrë: “Këtë javë kishim këtu disa nga çunat e Kombëtares. Kishin ardhur për pushime. Më tha të të bëj të fala! Bashkë me Grezdën u gjetëm rrugës (qesh). U takuam rastësisht, folëm, më tha t’i bëj të fala Manushit!”.
Por komentuesit janë shprehur se në fakt ngacmimet e Manushit kanë qenë jo pa qëllim, pasi po flitet se mes Nevinës dhe Grezdës ka nisur diçka më shumë.
Eros Grezda, i lindur më 15 prill 1995 në Gjakovë, është 1.80 m i gjatë dhe është futbollist profesionist shqiptar, që luan si mesfushor dhe sulmues për klubin skocez “Rangers” dhe në ekipin kombëtar shqiptar.
Ai lindi në Gjakovë por u rrit në Prishtinë, si fëmija i tretë i Genc dhe Valbona Grezdës. Karrierën futbollistike e nisi pikërisht me Prishtinën, duke luajtur mes moshës 9 dhe 15 vjeç.
Ai më pas u zhvendos për një kohë të shkurtër në FK Rabotnicki, ku u ndoq nga GNK Dinamo Zagreb, ku do të kalonte 1 vit atje, duke luajtur me U-17.
Në verën e vitit 2012, Grezda nënshkroi për klubin austriak Grazer AK. Grezda arriti në Slloveni në verën e vitit 2013, duke nënshkruar për klubin NK Aluminij. Ai pastaj u ngrit në nivel, duke nënshkruar klubin e PrvaLiga, DNŠ Zavrc në janar 2015 së bashku me Antonio Pavic. Pas një karreire të spikatur më 31 gusht 2018, klubi skocez Rangers konfirmoi se Grezda kishte nënshkruar kontratë katërvjeçare, sipas Panorama Plus.
Grezda mori nënshtetësinë shqiptare më 31 janar 2016. Thirrjen e parë nga trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, e mori për ndeshjet e kualifikimit të Kupës Botërore FIFA 2018 kundër Lihtenshtajnit dhe Spanjës në tetor 2016.
Ai u ftua për ndeshjen e 5-të 2018 të kualifikimit të Kupës së Botës në FIFA kundër Italisë, më 24 mars 2017 dhe ndeshjen miqësore kundër Bosnjë dhe Herzegovinës, më 28 mars 2017. Grezda bëri debutimin e tij të parë më 24 mars 2017 kundër Italisë si zëvendësim në minutën e 87-të në vend të Odise Roshit.
Sa i përket jetës private, ai nuk është përfolur për ndonjë lidhje, ose më mirë të themi nuk është mediatizuar për ndonjë histori të bërë publike më parë. Ndërsa Nevina Shtylla para një viti rrëfeu lidhjen disavjeçare, duke rrëfyer: “Është më i madh se unë, ja pse hezitoj bashkëjetesën”.

“Miss Shqipëria 2010”, tashmë 23 vjeç, gjatë vitit që lamë pas u largua nga “Tv Klan” për t’iu bashkuar “Top Channel”, ndërsa sa i takon jetës private, nuk e pamë të postonte asnjë foto me djalin për të cilin foli në media.

Mesa duket, gjërat brenda vitit kanë ndryshuar dhe tashmë Nevina është gati për një fillim të ri. Ndërkaq, lidhjet e futbollistëve me moderatoret e emisioneve sportive ndodhin shpesh, duke qenë se i lidh puna me njëri-tjetrin.