Marsel Rupi: Unë, Ervin Bejleri dhe Mateo Çela punë të re si kolaudues

Aktor profesionist që tani e shohim me mikrofon tek u bën personave me pushtet pyetjet që secili nga ne do të donte t’i bënte. Ish-protagonistin e spektaklit të humorit “Portokalli”, Marsel Rupin tani e shohim në treshen e djemve çdo natë në programin “Kolaudim”. Për këtë kombinim djemsh në televizion, dhe paskuintat e një programi të orëve të mbrëmjes, Marseli flet për revistën “Story”.

Jemi mësuar me dyshe djemsh në ekran, por ju në programin e mbrëmjeve “Kolaudim” jeni tre; Marsel Rupi, Ervin Bejleri dhe Mateo Çela. Ishte rastësi?
Ndoshta një nga arsyet e veçantisë së këtij emisioni është edhe fakti që ne jemi tre, pasi siç thatë edhe ju zakonisht prezantuesit janë nga dy. Në fakt nuk është aspak rastësi pasi është menduar që të kemi një tip “ndarje rolesh” do të thosha unë për ta bërë sa më interesante bisedën.
Ti ndryshe nga Ervini dhe Mateo ke marrë rolin e gazetarit me intervista në terren. Si ndihesh në këtë ndërthurje me profesionin e aktorit?
Në fakt, siç edhe e keni vënë re, unë nuk jam gjithnjë në studio pasi përfaqësoj më shumë pjesën e terrenit, ndërsa çunat mbulojnë studion dhe çdo gjë mbrapa kuintave që ndihmon terrenin. Pra në nuk jemi thjesht prezantuesit, por bashkë me stafin e mrekullueshëm të djemve e vajzave të regjisë, montazhit, drejtuesve krijojmë të gjithën nga ideimi deri në realizim.
Si u bëtë bashkë dhe pozicioni yt mes tyre në studio është më komodi apo më i vështriri?
Ishte koincidencë bërja bashkë e të treve ne, por në shumë pak ditë krijuam një lidhje jo vetëm si profesionistë në punë por edhe si miq në të përditshmen tonë. Përsa i përket pozicionit tim unë do të thosha që e shoh shumë komod për veten time, ashtu siç edhe djemtë shohin komod pozicionet e tyre. Komoditeti nuk ka vlerë absolute, por është diçka relative, që dallon nga një individ tek tjetri. Pozicionimin qoftë fizik në studio apo edhe pozicionimin sipas “roleve” që kemi ndarë, kemi qenë të lirë të zgjedhim pikërisht që të ndjeheshim komodë me veten dhe njeri-tjetrin.
Përveç ironisë që shkëmbeni, bëni përshtypje në emision edhe për batutat ndaj njëri-tjetrit? Ndodh që edhe të keni hatërmbetje?
Jo, nuk kemi pse të kemi hatërmbetje me njeri-tjetrin. Të gjitha janë në shërbim të idesë së spektaklit duke ndarë rolet tona për t’u bërë sa me atraktiv për publikun. Fakti që shakatë tona shkojnë deri në atë pikë sa nga publiku perceptohen sikur i adreson realisht njeri- tjetrit, kjo do të thotë se kemi arritur një afrimitet aq të madh saqë jo vetëm që nuk kemi hatërmbetje por kemi krijuar dhe konfidencialitet me njëri-tjetrin.