Kristi Becka i “Big Brother 8”: Jeta ime e lumtur me Ilda Bejlerin në punë, dhe Tea Zhulin në dashuri

Është i vetmi banor i “Big Brother” që është pjesë e një emisioni televiziv pas pjesëmarrjes në “reality show”. “Bar skedina” është programi që drejtohet nga Ilda Bejleri, ku Kristin e shohim në pozicionin e pronarit të llotos, ku klientët hedhin baste sportive për ndeshjet e skuadrave shqiptare dhe të huaja. Por një foto ndërsa ai puthte rivalen e tij në “BB8” Tea Zhulin për festa, e ktheu vëmendjen nga jeta e tij private, pasi ky çift i krijuar tashmë ishte një befasi për çiftin. Simpatia e tij për Tean u kuptua që në lojë, por duke se marrëdhënia mes tyre tani ka evoluar. Për historinë e lumtur të dashurisë me korçaren Tea dhe kënaqësinë e një programi bastesh, Kristi flet në këtë intervistë për revistën “Story”.

E nisim Vitin e Ri me deklarimin e një lidhjeje të re mes dy ish-banorëve të “Big Brother 8”, ty dhe Tea Zhulin. Si ndodhi që u afruat?
Kjo është diçka private. E kemi për veten tonë, e jo për ta shpërndarë me të tjerët as për fansa e as për like. Rëndësi ka që jemi të lumtur, pra për lidhjen me Tean mund t’ju them vetëm që jemi më të lumtur se kurrë.
Cili është roli yt në emisionin sportiv, dhe sa i familjarizuar je me sportin?
“Bar Skedina” është një emision për futbollin, për skedinat dhe mundësitë që kanë për të fituar lojtarët e basteve, pasi ne mundohemi t’i ndihmojmë me parashikimet tona. Shumë herë mund të jenë gabim dhe shumë herë të sakta. Është emision “live” që jepet gjithmonë kur ka ndeshje futbolli në Shqipëri dhe në botë, e të qenit “live” e bën edhe më të vështirë, sepse duhet të jesh i përgatitur pasi gabimet nuk tolerohen. Ndjekësit e këtij emisioni janë lojtarë bastesh dhe e njohin mirë futbollin. Dhe ndaj duhet të jesh i mirë informuar për formën e ekipeve dhe lojtarëve që të mos gabosh.
Si shkon puna me drejtuesen e programit Ilda Bejleri?
Studioja është e ngritur në atë lloj mënyre si të jetë një lloto, një ambient ku luajmë skedina. Unë jam i zoti i llotos, Ilda është drejtuesja e emisionit, ndërsa në tavolina janë të ftuarit tanë, kryesisht gazetarë sportive dhe figura të njohura nga fusha të ndryshme. Me Ildën kemi një raport të mirë. Merremi vesh, më ndihmoi shumë që ditën e parë duke ma bërë më të thjeshtë punën, pasi është e zonja në punën që bën.
Po komunikimi me të ftuarit si është, kuptoheni mirë pasi ti ashtu si në “Big Brother” vazhdon të komunikosh në dialekt korçar?
Dhe me të ftuarit e tjerë kalojmë mirë, atyre u pëlqen e folura ime me theks korçar, dhe kjo na çon edhe në disa batuta të bukura gjatë emisionit. Unë e kam tipin të tillë prandaj për të bërë batuta nuk është problem. E gjej veten shumë mirë atje, shumë komod sikur të jem në lloton time. Kam marrë dhe shumë komplimente nga njerëzit që e ndjekin emisionin, dhe kjo më bën edhe më të lumtur.
Ti luan vetë skedina?
Jo, unë personalisht nuk luaj skedina, por jam ndjekës i futbollit. Jam sportdashës, më pëlqen sporti dhe informohem e kjo punë më bën të lexoj ndonjë lajm më shumë.
Personat që luajnë bixhoz janë ndjekësit tuaj, tashmë e njeh mirë psikologjinë e tyre për t’i kthyer në shikues të rregullt?
Lojtarët e skedinave janë ata që e ndjekin më shumë emisionin. Por është e vështirë ajo psikologji pasi secili ka mendjen e tij e mënyra e të menduarit nuk është e njëjta. Bota e basteve është botë me vete që nuk ka shpjegim. Ne mundohemi të jemi sa më realistë në analiza dhe në sygjerimet tona.
Cila ka qene shifra më e madhe e humbjes në baste, po e fitores?
Ne sygjerojmë skedina të ndryshme. Më e larta për këtë vit ishte një skedinë e kapur me 4 milionë lekë të vjetra. Për humbjen nuk e di se lojtarët e marrin skedinën dhe vendosin vetë sa lekë të duan sipas xhepit të tyre.
Ky është sezoni yt i parë në televizion, e sheh si vendin e duhur për karrierë?
U bënë më shumë se katër muaj që jam pjesë e televizionit. Emisioni fillon në periudhën e shtatorit kur nisin dhe kampionatet e futbollit dhe përfundon në qershor. Jemi në gjysmën e sezonit tani, por ndërkohë kam edhe disa mundësi të tjera që jam duke i shqyrtuar.
Për çfarë bëhet fjalë më konkretisht?
Jemi ende në bisedimet fillestare, po që ka entuziazëm dhe besim. Bëhet fjalë për një emision timin dhe për pjesëmarrje në një film. Këto projekte duan kohën e tyre ashtu si ky emisioin që jam tani, por besoj tek vetja ime dhe jam i bindur se do i realizoj edhe këto projekte.