Gjendet e vdekur vajza e kryetarit të Akademisë së Shkencave

Ka vdekur regjisorja Arzana Kraja, vajza e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja. Arzana Kraja është gjetur e vdekur mëngjesin e sotëm në banesën e saj në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e një vajze në lagjen “Kalabria” në kryeqytet, por burime të Koha.net tregojnë se bëhet fjalë për regjisoren Kraja.

Arzana-1

Kraja, ishte regjisore e filmave, “Shkurta” dhe “Fusha e mëllenjave”. Me këtë të fundit shënoi edhe hapjen e edicionit të 11 të PriFest.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të regjisores.

“Jemi të shokuar nga lajmi për vdekjen e regjisores Arzana Kraja! Angazhimi i sajë në fushën e kinematografisë ishte i jashtëzakonshëm! Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë bashkëpunëtorëve!”, thuhet në ngushëllim.

Arzana-2

Për vdekjen e Krajës ka ngushëlluar edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

“I prekur thellë nga ndarja e parakohshme nga jeta e Arzana Krajës. Pata nderin ta njihja personalisht. Arzana, me artin e saj i dha shumë Kosovës. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit të artit. Prehu e qetë Arzana!”, thuhet në ngushëllimin e Haradinajt.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar se “Vdekja e regjisores Arzana Kraja është lajm i trisht për të gjithë ne”./Gazeta Liberale