Ema Andrea: Nëse Sara do të bënte zgjedhjen time, unë do të pranoja të jetoja edhe me vuajtjet e saj sikundër me të miat…

Të bukura në pamje e mendje e shpirt janë dy artiste në shpirt që e jetojnë jetën në çdo dimension. Ema Andrea dhe Sara Kapo, janë nënë e bijë që bashkë pas mesnate në programin “Turni 3” në TVSH shkëmbejnë mendime që nga dashuria me shikim të pare e deri tek zbulimi i ëndrrave të personazhe të famshëm. “Sara dhe unë jemi dy identitete që ngjajmë e nuk ngjajmë, që biem e nuk biem dakort për shumë gjëra. Por në fund të ditës, kemi 22 vjet diferencë, që na lejon të kemi edhe të pathëna mes njëra-tjetrës, sikundër më duket normale. E madje e rëndësishme që ne themi atë që mendojmë, që ndajmë emocionet, dhe nuk gjykojmë njëra-tjetrën për zgjedhjet, por e mbështesim njëra-tjetrën. Kjo mund të na bëjë shoqe në një këndvështrim, por mua më duket marrëdhënie e bukur njerëzore”, tregon Ema. E për më shumë detaje rreth mënyrës unike të shkëmbimit të mendimeve dhe eksperiencave mes dy botëve me shpirt të lirë e të pasur, aktorja e karrierës rrëfen çdo detaj për revistën “Story”.

Nënë e bijë në një emision natën vonë në RTSH. Çfarë i bashkon dhe i ndan dy breza të ndryshëm si ju?
Ne nuk marrim përsipër të përfaqësojmë breza, por nga ana tjetër, besoj se është dalje e guximshme dhe e vërtetë të jesh në ekran duke folur apo debatuar për tema, për të cilat nuk na takon shpesh të flasim prej rutinës. Mua dhe Sarën, besoj na bashkon toleranca dhe mirëkuptimi për mentalitetin e kohës ku jemi rritur secila nga ne. Ne jetojmë në një kohë ku këndvështrimet për fenomenet shoqërore janë sa të ngjashme aq edhe të pangjashme me njëra-tjetrën.
Ku qëndron vlera e këtij dialogu televiziv nënë e bijë?
Besoj se vlera e këtij dialogu televiziv është tek shembulli i bisedës së sinqertë, në të cilën edhe fjalori ndryshon. Besoj se është një akt jo edhe aq i lehtë për t’u ndërmarrë, por që unë dhe Sara e kemi kaluar me thjeshtësi, vërtetësi dhe dinjitet. Pa gjykuar e mbi të gjitha pa pretenduar se kush është mendimi më i drejtë. Është njësoj sikur jetojmë bashkë. Unë lumturohem kur shoh Sarën aq të ambientuar me kamerën dhe aq të drejpërdrejtë, shumë larg shembujve të moshës së saj.
Ti je një aktore e famshme dhe pedagoge e aktrimit, por Sara nuk e ka ndjekur këtë rrugë. Pse jo?
Për këtë duhet pyetur Sara…(qesh). Për sa më përket, unë s’jam përpjekur të ndikoj tek ajo që të marrë rrugën e aktrimit.
Me syrin tënd artistik si do e komentoje Sarën, njësoj sikur ajo të mos ishte vajza jote?
Sara, në mendimin tim është artiste, luan me imazhin, ka ritëm e vesh muzikor, shije të hollë për artin, por zgjedhja për rrugën e saj i ka takuar dhe i takon asaj. Më duket e drejtë të jetë kështu. Tek e fundit është artiste, dhe mund të provojë edhe aktrimin (ku unë mendoj se ka talent), edhe pa marrë diploma. Aktrimi është vërtetë një rrugë e lodhshme dhe plot sakrifica, por tek e fundit është një mënyrë e jashtëzakonshme të jetuari. Ndaj nëse Sara do ta zgjidhte, unë do të pranoja të jetoja edhe me vuajtjet e saj, sikundër më të miat. Në fund të fundit, jeta është plot me zgjedhje. Çfarëdo të zgjedhë Sara, unë do të jem mami i Sarës, dhe jo pedagoge për të.
Është e domosdoshme që dikush që synon botën e televizionit apo shfaqet në ekran të marrë leksione aktrimi?
Besoj se njerëzit e ekranit kanë specifika të tjera leksionesh, ku shpesh mund të jenë edhe ushtrimet e aktrimit, per sa i përket vetëbesimit, vëmendjes, diksionit dhe gjuhës së trupit. Në përgjithësi aktorët e kanë të vështirë të jenë moderatorë, madje as nuk e pëlqejnë një gjë të tillë.
Ku ndryshojnë aktorët nga moderatorët sa i takon vetëbesimit apo personalitetit?
Shpesh aktorët janë njerëz të ndrojtur, dhe jo rrallë herë dinë të flasin vetëm për veten dhe veprat e tyre. Sikundër aktrimi, edhe moderimi duan një talent dhe sharm të lindur. Rrallë ndodh të jenë aktorë dhe moderatorë të suksesshëm. Bota sot është e gjitha një shoë, festivalet, paraqitjet në televizion, promocionet, e në të gjitha këto aktorët janë pjesë e rëndësishme, por besoj në thelb çdo aktor do të preferonte të ishte në skenë apo në set filmi sesa përpara kamerave të moderimit televiziv. Mbase e kam gabim, por kështu mendoj.
Ndodh që i jep leksione private Sarës për gjuhën e trupit?
Jo, termi “leksion” nuk hyn fare në marrëdhënien tonë. I flas si mami apo shoqe për ato që shoh, por nuk i jap leksione për asgjë. Ndonjë këshillë, por është normale besoj.
Dukeni si shoqe me një marrëdhënie që e tejkalon atë klasiken nënë-bijë. Jeni realisht kështu në përditshmëri?
Nuk e di si dukemi, por besoj se jemi nënë e bijë të rritura bashkë.
A flisni për gjithçka dhe cilat janë bisedat që kanë mbetur ende tabu mes jush?
Besoj se tabu është pikërisht ndërtimi i këtij raporti nënë-bijë sipas normave. Sara e unë jemi dy identitete që ngjajmë e nuk ngjajmë, që biem e nuk biem dakort për shumë gjëra. Por në fund të ditës, kemi 22 vjet diferencë, që na lejon të kemi edhe të pathëna mes njëra- tjetrës, sikundër më duket normale. E madje e rëndësishme që ne themi atë që mendojmë, që ndajmë emocionet, dhe nuk gjykojmë njëra-tjetrën për zgjedhjet, por e mbështesim njëra-tjetrën. Kjo mund të na bëjë shoqe në një këndvështrim, por mua më duket marrëdhënie e bukur njerëzore. A flisni për gjithçka dhe cilat janë bisedat që kanë mbetur ende tabu mes jush? Për gjithçka? Nuk e di me moshë edhe bisedat ndërrojnë, edhe temat, edhe mënyra se si flasim. Tabu nuk besoj se ka, Por të pathëna, natyrisht që ka. Një gjë nuk ka ndryshuar. Unë mësoj shumë nga Sara dhe madje i dëgjoj shumë këshillat e saj. Besoj është normale.
Deri ku shkon liria e komunikimit prind-fëmijë, ju keni një kufi?
Deri ku është kufiri apo liria e komunikimit prind-fëmijë, nuk besoj se e di askush. Ndaj mund të them që kemi një marrëdhënie unike, si çdo nënë me fëmijën e saj.
Sara ka sharmin e duhur për të qenë personazh televiziv, pasi shpesh mediat publikojnë foto apo intervista të saj. Ke frikë se lirshmëria që ka keqkuptohet në Shqipëri dhe për çfarë e këshillon ti të ketë kujdes?
E vetmja këshillë që i jap është të mos lëndohet nga gjykimet e paragjykimet. Shpirti dhe vlera e saj nuk mund të maten me tituj portalesh e fotosh. Nëse “Liria e Sarës” shqetëson ky është problem i të shqetësuarve, dhe jo i saji. Të keqkuptuarit kanë një jetë që janë të tillë, e unë s’mund të këshilloj time bijë t’u përshtatet mendjengushtëve që luftojnë me armët e dobëta të moralit. Këshilla ime? “Non ti curar di loro, guarda, e passa!”
Po ajo ty?
Të njëjtën këshillë në mënyrën e saj.
Flisni për dashurinë me njëra-tjetrën, dhe le të themi e keni gjetur shpirtin binjak?
Flasim për dashurinë njerëzore, për kuptimin tonë mbi dashurinë e dinjitetin, për forcën e dashurisë, për dashurinë në gjeografinë shqiptare e madje edhe për mënyrën si e perceptojmë shpirtin binjak. Shpesh me Sarën s’kam nevojë për shumë fjalë. Na mjafton një vështrim.
Në emisionin tuaj natën vonë ju diskutoni gjithçka që ju vjen në mendje, pra pa ndonjë skenar?
Nuk besoj se na mendoni kaq të papërgjegjshme sa të ndërtojmë një emision mbi çfarëdo na bie ndër mend. “Turni 3” ka një staf që punon e hulumton mbi tema mbi të cilat flitet e për të cilat secila nga ne kryen procesin e vet.

Ema & Sara: Unë dhe Sara nënë e bijë me 22 vite diferencë që lirisht mund të flasim për gjithçka, edhe për erosin
Si mund të flasin publikisht për erotikën nënë e bijë si Ema dhe Sara?”Po si mund të flasin kaq e aq portale e analistë nëpër televizione për erosin e për gjithçka? Pse pikërisht kjo temë ju duket për t’u ndalur? Ne nuk fshihemi pas gishtit. Jemi nënë e bijë të rritura, dhe natyrisht për erosin mund të flasim sikundër çdo adult me njëri-tjetrin. Erosi vetëm në Shqipëri është bisedë tabu. Pa eros s’do kishte art, s’do kishte zhvillim, s’do kishte miqësi, s’do kishte as heronj. Ndaj lirisht mund të flisja me time bijë për erosin”, përgjigjet Ema.