Devis Xherahu: Me miss-in po planifikoj martesë dhe dy fëmijë

Në festivalin “Kënga Magjike 2016”, Devis Xherahu konkurron me një baladë dhembjeje me titull “Nuk e kuptoj”, por në jetë po shijon një histori të vërtetë pasioni me ish-Miss Shqipërinë, Ertemiona Mejdani. Një lidhje gjashtë vjeçare, bashkëjetesë dhe shumë udhëtime me të dashurën, është bilanci i jetës sentimentale të këngëtarit, që po bën karrierë në Shqipëri pas shumë vitesh famë në Greqi. I pyetur nga revista “Story” nëse është martesa me Ertemionën në planet e tij, ai përgjigjet: “Normal që martesa është në plan, por kur të vijë, dhe padiskutim që do të jeni të ftuar”. Në klipin prezantues për garën e “Kënga Magjike”, që u transmetua në programin e “E diela shqiptare” u shpreh se një nga dëshirat e tij është të ketë vetëm dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Lidhur me këtë temë dhe nëse ka bërë ndonjë planifikim familjar që tani, Xherahu zbulon: “Meqenëse në familjen time jemi dy fëmijë, padyshim që do të doja ta vazhdoja këtë traditë, por me një ndryshim. Jo dy djem, por një vajzë dhe një djalë”. Gjatë intervistës me Ardit Gjebrenë ai u shpreh ndër të tjera se të dashurën e puth gjithë ditën, deklaratë pas së cilës sqaroi se: “Vesi im është të dashuroj fort njeriun që kam në krah. Dhe nëse kjo quhet varësi, atëherë le të jam i varur nga kjo ndjenjë, që gjithkush do e dëshironte ta kishte në jetën e tij”. Për sekretin e jetëgjatësisë së lidhjes së një këngëtari me një miss, thotë se është: “Mirëkuptimi, duke e pranuar njëri-tjetrin ashtu siç jemi dhe jo ashtu siç do të donim të ishim. Ky besoj është sekreti”. Por shpesh një marrëdhënie ka edhe ato thyerjet e zakonshme, që çifti në fjalë thonë se nuk i kanë provuar. ”Më besoni që deri tani nuk ka ndodhur një plasaritje e tillë tek ne”, shprehet Devisi.