Devis Xherahu: Dasma ime surprizë me Miss-in!

Një duet, që nuk pritej, me aktoren e “Portokalli”, Delinda Zhupën, e solli Devis Xherahun shumë energjik në klipin e ri. Me një jetë intensive si këngëtar dhe koncertet në netët live, ai arrin të ruajë balancat mes dashurisë dhe karrierës. Për dasmën surprizë me ish-Miss-in Ertemiona Mejdani dhe fëmijën që presin me shumë dëshirë si dhuratë e Zotit, Devisi flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Devis-Xherahu-2

Një bashkëpunim me Delinda Zhupën për klipin “A më dëgjon”. Si lindi ideja për të bërë duet me aktoren e humorit, e cila e ka për herë të parë?
Ka qenë funddhjetori dhe si çdo fundvit unë performoj për kompani të ndryshme me band-in tim. Kishin kaluar rreth 3 orë dhe rreth 600 vetët e pranishëm ishin të gjithë duke kërcyer. Ndërkohë, më telefonoi menaxheri duke më thënë që pas pak vinte aktorja e “Portokalli”-së Delinda Disha dhe do të performojë. Të them të drejtën u vura në dilemë, sepse vështirë të qetësoheshin 600 vetë në atë orë për të dëgjuar humor dhe sidomos monolog vetëm nga një aktore. Por sapo doli Deli në skenë, të gjithë e duartrokitën dhe dëgjuan me superqetësi artin dhe humorin e saj. Atëherë, unë thashë shprehjen time: Ajo është pra, do i propozoj që të jetë aktorja e klipit që do të realizoj. Biseduam me Delin, i pëlqeu ideja si aktore e klipit, dhe gjatë kompozimit të këngës më lindi ideja që përveç aktrimit edhe të performonte disa masa të këngës në formë repere, duke qenë se rap-i në vetvete është zhanër recitativ, e kush më mirë se një aktore mund ta bënte përderisa ka të zhvilluar artin e të folurit. U futëm në studio dhe, ja, siç e shihni realizuam këngën “A më dëgjon”.

Devis-Xherahu-3

Si ishte si eksperiencë ky bashkëpunim për këngë vere dhe si u prit nga publiku?
Sigurisht, njerëzit kanë mjaft kureshtje për këtë bashkëpunim, sepse Delinda është në rolin e këngëtares dhe kjo ka ngjallur mjaft interes në publik. Është pëlqyer shumë nga publiku, dhe vetë “views” e shumtë që ditët e para tregojnë qartë suksesin e këtij bashkëpunimi.

Po partnerët tuaj respektivë ishin me ju ne sheshxhirim dhe ishte komode?
Po, pa diskutim, partnerët tanë janë mbështetja kryesore në karrierë dhe, normal, nuk do mungonin duke na orientuar si një pasqyrë për në çdo moment në sheshxhirim, e cila ishte një superpërvojë për të dy.

Devis-Xherahu-4

Ndërkohë, ke nisur pushimet me partneren tënde Ertemiona Mejdani. Nëse do të komentonim postimin e fundit, mund të themi se është një foto sa një mijë fjalë. Si e mbani pasionin gjallë nga një verë në tjetrën?
Pushimet tona akoma nuk kanë filluar. Foton në fjalë e bëmë në një moment kur gjetëm kohën njëditore të shkëputemi në Lalëz. Mbajtja e pasionit gjallë nuk ka ndonjë çelës apo sekret, e kam thënë edhe më parë, kur ka kimi dhe sinqeritet mes çiftit, pasioni nuk shuhet kurrë.

Ka nga ata që ju pyesin se kur do e bëni dasmën. Keni një përgjigje të detajuar për këtë?
Më mirë të jetë surprizë.

Ndërkohë, shumë çifte VIP po bëhen prindër këto kohë. Ju e keni planifikuar sjelljen në jetë të një bebeje?
Fëmija është dhuratë e Zotit dhe ne e mirëpresim në çdo moment!

Devis-Xherahu-5

Të kesh partnere një miss është e vështirë për t’u menaxhuar, duke qenë se ajo lakmohet nga të gjithë?
Nuk e bën profesioni njeriun, por njeriu atë. Në rastin konkret nuk e shoh shqetësim ose rrezik profesionin e Ertemionës, për sa kohë ekziston kimia dhe pasioni midis nesh.

Puna jote si këngëtar nënkupton net që gdhihen jashtë shtëpisë. Është Ertemiona partnerja që të mban nën kontroll se mos përfundon me ndonjë femër tjetër në një nga ato net?
Do ju jap një përgjigje ndryshe për këtë pyetje! Nëse e keni parë filmin “Beni ecën vetë”, unë jam ai Beni pasi u kthye nga fshati në rastin konkret, pra, s’kishte nevojë që t’i rrinte mamaja më nga pas se mos ftohej apo sëmurej (qesh). Dua të them që Ertemiona më njohu në kohën kur unë ecja vetë pa u ndikuar nga rastësitë që ofron nata. Aq më tepër, e përsëris, kur në rastin tonë ekziston pasioni dhe kimia.

Devis-Xherahu-1

Të bësh para si këngëtar në Shqipëri për ty ka rezultuar e suksesshme. E fut veten te të pasurit me fitimet që ke arritur deri tani?
Shqipëria futet në vendet me probleme të mëdha ekonomike dhe profesioni ynë si artist është luks. Nuk mund të pretendosh këtë luks kur vendi vuan ekonomikisht, thjesht jetoj mirë duke u menaxhuar aq sa mundem si një korçar i mirë!

Ku po pushon, dhe në një reflektim ekzistencial çfarë mendon se ke bërë gabim në të shkuarën që nuk do të doje ta përsëritje në të ardhmen?
Pushimet nuk kanë filluar akoma për mua. Nuk besoj se do të ndryshoja diçka nga e shkuara ime ose ndryshim gabimesh, sepse pa atë të shkuar dhe pa gabimet që mund të kem bërë, nuk do kisha kurrë këtë përvojë dhe realitet të sotëm që unë jetoj!/PANORAMA PLUS