Dasma e bekuar e Inës dhe Ermirit

Dita më e bukur e jetës së tyre, nuk do të mbahet mend vetëm për përjetësimin në betime e firma për dashuri besnike në të mirë e në të keq, por edhe për një tjetër fakt të qenësishëm, çka i dha më tepër nur dasmës së tyre. Çifti Ermir Mamaqi dhe Ina Petraj, e kishin planifikuar disa kohë më parë ditën e tyre të ceremonisë, por si një forcë e panjohur mistike që ndodh t’i cytë gjërat drejt dimensioneve të panjohura, sa edhe të këndshme, dasma e tyre përkoi edhe me vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, pikërisht në 21 shtator. Dhe pasi mësuan këtë lajm, disa javë përpara zyrtarizimit të vizitës së Atit të Shenjtë, lumturia e dy protagonistëve ishte e pamatë prej çastit të parë kur mësuan këtë rastësi të bukur. Njësoj sikur Zoti ta kishte stisur me dorë, qëlloi që dasma e tyre të ishte një bekim, njësoj si edhe historia e tyre disa vjeçare e dashurisë, që u finalizua këndshëm në një ditë speciale, për vetë protagonistët, por edhe pcër gjithë shqiptarët, që me gjasë do të kalojnë vite e do vazhdojnë të kujtojnë vizitën e Papës në vendin tonë.
Dashuria disa vjeçare
U deshën katër vite që ata të betoheshin për dashuri të përjetshme ndaj njëri-tjetrit, ama në këtë hark kohor kanë shijuar në maksimum çdo gjë që formësonte një raport të vërtetë dashurie pasionante. Ermiri dhe Ina janë dy 29-vjeçarë nga Tirana, të cilët kanë profile të ndryshme profesionale, ajo në fushën e drejtësisë si pedagoge dhe ai si një nga drejtuesit e Ami Event, pasi studimet e larta i ka përfunduar për ekonomik. “Historia jonë e dashurisë ka lindur në vjeshtën e vitit 2010. Pas një njohje disa vjeçare në mjedisin shoqëror, fati na solli pas disa kohësh që ne ta shihnim njëri-tjetrin me sytë e dashurisë. Ermiri, më bënte shumë për të qeshur dhe me ato shakatë e tij, hidhte ndonjë sinjal aty këtu. Fillimisht e mendova si një lojë, dhe pranova të jem pjesë e lojës si për të qeshur. Dy vjet më pas u fejuam. Pasioni dhe dashuria na bëri të udhëtonim drejt një ëndrre e cila arriti kulmin e saj me lidhjen e martesës, ëndërr e cila vazhdon dhe na përkëdhel çdo ditë të jetës sonë”, thotë Ina. Kanë jetuar dhe kanë shijuar ndjenat e tyre, në atë formë sa vendimi për t’u martuar erdhi krejt natyrshëm, si një hap që duhej ndërmarrë pas katër viteve njohje. Fillimisht ishte emocion i përzier me frikë, pasi institucioni i martesës në vetvete është një angazhim serioz, plot përgjegjësi, por duket se humori i Ermirit ndikoi pozitivisht duke fashitur shumë frikëra. “Për më tepër, kur morëm vesh që në datën e dasmës sonë, 21.09.2014, do të vinte në Shqipëri Papa Françesku, ky ka qenë një lajm i cili na ka bekuar dhe frymëzuar gjatë gjithë përgatitjeve të dasmës sonë”, pohon Ermiri.
Detaje të personalizuara
Nuk mund të ndodhte ndryshe. Në terrenin që ai e njihte në pëllëmbë të dorës, ku kishte investuar ide brilante në realizime ceremonish martesore, do të ishte natyrisht “Ami Event” agjencia së cilës ata i besuan ditën më të bukur të jetës së tyre, krahas propozimeve të tyre respektive. Pas celebrimit, i cili u krye në restorant “Sofra e Ariut”, dasma u organizua në restorantin “Xibraku”. “Kishim dëshirë që çdo detaj i dasmës të ishte i personalizuar dhe për këtë kishim shumë kohë që mendonim, bisedonim dhe punonim. Gjëja e parë që vendosëm ishin ftesat e dasmës në formën e një pasaporte, e cila shoqerohej me nje Boarding Pass per secilin të ftuar. Kemi udhëtuar gjatë këtyre viteve pafund, në vendet më të bukura të botës dhe donim që këtë pasion tonin ta materializonim edhe në ditën e dasmës. Konfetat ishin të personalizuara gjithashtu, përveç bajameve tradicionale, të ftuarve në darkë iu dhurua edhe një vazo e vogël me mjaltë, e cila përmbante edhe të dhënat tona më të rëndësishme”, vijon 29-vjeçarja. Fustanet e ceremonisë ishin zgjedhur gjithashtu me shumë kujdes nga koleksioni i fustaneve të nusërisë 2014-2015 të San Patrick, Aire Barcelona dhe Justin Aleksander 2015 në sallonin e Ami Event. Të gjitha fustanet iu përshtatën në mënyrë të veçantë etapave të dasmës, duke filluar nga celebrimi, marrja e nuses dhe festa e darkës në të cilën u përdorën dy fustane, një më madhështor dhe i punuar me gurë, ndërsa tjetri i stilit Helen, për të qenë më e lirshme e për ta shijuar dasmën. Sa i takon dhëndrit, ai u vesh nga duart e stilistit Altin Mici, i cili për këtë rast dizenjoi një kostum të veçantë dhe shumë modern duke qendruar gjithmonë brenda kontekstit tradicional të dhëndrit shqiptar.
Ceremonia e dasmës
Dasma e tyre iu përmbajt strukturës së ceremonisë tradicionale shqiptare. Por, gjatë dasmës pati disa momente të spikatuara që i lanë të gjithë me gojë hapur. “Kishte këngëtar, belly dance, lojra të ndryshme, muzikë, gjithçka. Atë natë për ne këndoi Ermali me Dr. Florin dhe Poni. Gjithsesi emocioni dhe kujtimi që do të mbajmë gjithë jetën me vete është kur Ermali (vëllai i Ermirit) kishte krijuar një këngë enkas për ne që u shndërrua në refrenin e dasmës sonë. Ai ka qenë moment që na ka lënë pa frymë dhe që vetëm Ermali me dashurinë dhe shpirtin e tij di të t’i dhurojë”, thekson ajo. Tanimë që gjithçka ka përfunduar me sukses, çifti i ri është duke shijuar muajin e mjaltit, në një destinacion të jashtëzakonshëm si Phuket, Tajlandë.