Amos Zaharia: Gjeta paqen tek këngëtarja e “The voice”, gjërat që Baby im bën

 Zotëron forcën e fjalës ndaj di ta shprehë shumë bukur gjendjen shpirtërore të momentit, aftësi që me shumë gjasa e ka të trashëguar nga nëna e tij e njohur Yllka Mujo. Si artist që është, shpesh e brendshmja e Amos Zaharisë është në kaos, por pavarësisht kësaj ai ka gjithmonë një buzëqeshje të kulluar në portretin e tij. Edhe pse preferon që ndodhitë private të mund t’i ruajë private, ai rrëfen për herë të parë për revistën “Story” përjetimet e një historie të bukur dashurie me këngëtaren e “The Voice of Albania”, Gigliola. Ja çfarë ndodh kur dy artistë bëhen çift…  

Një aktor profesionist si ty, është shpirt i trazuar apo personi që ta bën jetën të bukur?
Këtë përgjigje nuk e jap dot unë, megjithatë shpirtin e kam pak të trazuar, dhe mendoj që kështu duhet të jetë, për aq kohë sa jam gjallë. Pak kaos nuk bën keq.

Je djali i aktores së njohur Yllka Mujo. Kur jeni bashkë filozofoni shpesh si dy artistë me botë, apo thjesht bisedoni si nënë e bir?
E kam thënë edhe herë tjetër kur më është dhënë rasti, që unë me Yllkën jemi si miq të vjetër. Kur jemi bashkë në fakt filozofojmë shumë, flasim për universin, për Zotin (nëse ka), për inteligjencën e njeriut e plot tema të tilla mistike. Kënaqem shumë kur bisedoj me të.

Sa i takon karrierës si aktor në teatër, cilën do të veçoje si rolin që të përmbushi totalisht?
Besoj se jam ende një foshnjë në teatër. Karriera ime si aktor teatri ka filluar në vitin 2012, pra nuk kam shumë eksperiencë, ndryshe nga filmi. Megjithatë nga ato pak role që kam realizuar veçoj Ivan Vasilievic Llomov në veprën “Martesa” nga autori Anton Chekhov. Kjo për arsye sepse ishte një rol të cilin e realizova me kënaqësi të jashtëzakonshme.

Në kinema cili është roli që ëndërron të kesh?
Të jem pjesë e filmave kjo është ëndrra. Rolet janë të gjithë unikë, dhe ndërtimi i tyre është një aventurë më vete.

Ndjek shumë filma, cilin do të veçoje si filmin që të motivon sa herë e sheh?
Janë në fakt një tufë e mirë e filmave që pëlqej. Nuk para motivohem nga filmat, më shumë më intereson të mësoj prej tyre. Filmi “3 Iron” është një ndër ata filma, të cilin sa herë e shoh zbuloj gjëra të reja.

Sa i takon jetës jashtë profesionit mësojmë për një vit histori dashurie, që u zbulua tani. Kur dhe si je njohur me këngëtaren që e pamë në “The voice of Albania”?
Jemi njohur në bar “Noel” në Tiranë, që frekuentohet zakonisht nga artistë. Filluam të bisedonim dhe e kuptuam menjëherë që biseda do të vazhdonte gjatë.

Çfarë të bëri përshtypje tek artistja, pse të tërhoqi?
Gjatë kohës kur Gigliola (të cilën unë e quaj BABY) këndonte në “The voice”, kishim disa kohë që frekuentoheshim. U ndjeva shumë i lumtur tek sa e shikoja të këndonte aq bukur në skenë, si një artiste e vërtetë. Dhe më vjen mirë të them që Baby vazhdon të këndojë edhe pas asaj eksperience. Është një kënqësi për veshin.

Kanë qenë vajzat artiste synimi yt në aspektin sentimental? E gjen veten më mirë pranë tyre në një marrëdhënie dashurie?
Normalisht është më lehtë të kuptohesh nga dikush, që është pak si ty.

Për çfarë karakterizohesh në një lidhje pasioni? Difekti yt, për shembull je xheloz apo posesiv?
Të them të drejtën difekti im është besimi që kam të njerëzit, që shumë shpesh ma marrin për “menefregizëm”. Nuk jam as posesiv e as xheloz, sepse ka mënyra të tjera për të shkatërruar veten.

Po ti çfarë nuk duron dot tek sjellja e partneres?
Unë duroj çdo gjë nga Baby, sepse gjërat që bën ajo janë gjithnjë pozitive. Merremi vesh shumë mirë me njëri-tjetrin, dhe mendoj të kesh urë komunikimi me partneren është një nga cilësitë më të mira në një marrëdhënie.

Si e jeton një histori dashurie, shkëmbeni dhurata apo udhëtoni shpesh?
Më pëlqen të udhëtoj me Baby-n. Ky planet ka shumë për të ofruar dhe më duket e padrejtë që të mos e eksploroj. Natyra na ka dhënë këmbë dhe jo degë, e ndaj mirë është t’i vëmë në lëvizje. Unë i bie kitarës, Baby këndon, kemi gjetur paqen.

Keni plan të martoheni, dhe beson tek martesa me një grua gjithë jetën?
Nuk besoj se disa copa letrash apo një status na bën ta dashurojmë njeriun që kemi në krah. Martesa është një shpikje e njeriut, ndërsa dashuria është shpikje e universit. Nuk kam dëshirë t’i miksoj.