Alkena Dervishaj e “BB4”: Si u ndjeva kur mësova se e kam zemrën në anën e djathtë

Ka festuar 29 vjetorin para pak ditësh, dhe ndihet shumë energjike. Ajo është një vajzë nga Peja e veçantë në pamje, pasi është shtatlartë, me sens humori, shumë sensuale dhe moderne. Alkena Dervishaj që u bë e njohur në “Big Brother 4” jeton në Prishtinë dhe ka një veçanti brenda trupit të saj, e që është pikërisht zemra që e ka në krahun e djathtë. Në lojën e vëzhguar nga kamerat ra në sy për natyrën e shkathët dhe analizuese, e ndihmuar dhe nga studimet për psikologji në Universitetin e Prishtinës. E ka përkufizuar veten si tipi që i ndërron shpesh punët, pasi gjithmonë i dorëzohet pasionit dhe dedikimit me gjithë zemër. Shpesh eksperimenton me foto artistike, ku ekspozon linjat prej modeleje për të cilat tërhoqi vëmendjen edhe gjatë kohës, kur ishte pjesë e “Big Brother”. Në këtë rrëfim të pazakontë për revistën “Story” Alkena tregon se si u ndje kur mjekët i treguan se zemra e saj ndodhet në anën e djathtë.

Je diplomuar për Psikologji, me çfarë po merresh disa vite pas “Big Brother”?
Ka disa javë që jam në pushim mjekësor, pas një ndërhyrje kirurgjikale në tëmth. Ndërkohë kam qenë duke punuar në sektorin privat, konsulencë e PR. Do të rikthehem sapo të rikuperohem totalisht. Eshtë punë që ka kontakt të përditshëm me njerëz, e kjo është gjëja që me pëlqen më shumë. I dua njerëzit dhe ndjehem mirë kur kam sa më shumë përreth.
Kemi mësuar se je një vajzë që ke lindur me zemren në anën e djathtë. E vërtetë është?
Po, e vërtetë. Një përqindje shumë e vogël e njerëzve në botë e kanë si unë, pra janë shumë rrallë.
Je bërë kureshtare të kërkosh e pyesësh se kush tjetër e ka zemrën në të djathtë?
Nuk kam lexuar, e nuk e di. Di vetëm që është një përqindje shumë e vogël në botë.
Si reagojnë njerëzit kur ua thua?
U duket qesharake të gjithëve, dhe habiten. Normalisht pyesin edhe nëse ka ndonjë problem. Disa nga ata edhe duan të më prekin pulsin për të shuar kureshtjen.
Ti kur u njohe me këtë fakt dhe si u ndjeve?
Në kontrolle rutinë tek mjeku kam mësuar faktin që e kam zemrën në anën e djathtë. Kisha dëgjuar për këtë fenomen që nuk paraqet ndonjë problem. M’u duk e çuditshme në fillim, por tani është kthyer në humor që zemrat e djathta janë të hekurta. Për më tepër nuk mundet askush të të qëllojë zemrën se nuk e dinë anën. (qesh)
Duke pasur zemrën në anën e djathtë, në ç’aspekt tjetër je ndryshe?
Jo, jo asnjë ndryshim pasi është shumë normale. Ritmin e ka më të shpejtë nga natyra vetë, dhe është e madhe për nga numri i madh i njerëzve në të dhe dashuria për shumëçka. Por besoj kjo duhet të jetë veti e të gjitha zemrave.(qesh)
Po në dashuri?
E këtu mendoj që është ndryshimi i vetëm, pasi dashuria e di rrugën nga e majta e në të djathtë duhet t’i vendosim sinjalet (Qesh). Dashuria si ndjenjë vetëm në zemër është klishe që të drejtojë gishta e të fajësojë atë. Dashuria është në çdo qelizë, mendje, vepër, frymëmarrje, mëngjes e mbrëmje.
Fakti që e ke zemrën në krah të djathtë, të kufizon për diçka në këtë jetë?
Jo, është krejt normale funksionimi. Kjo është vetëm një mundësi për humor më shumë në tavolina miqsh.