Alores: Muzika shqiptare e viteve të fundit? Një bordello!

Jeton në Suedi, por karriera e tij muzikore zhvillohet në trojet shqiptare, pasi muzikën shqip e ka në gjak. Orges Qato, apo i njohur me emrin e artit si Alores, vjen në një bisedë për “Panorama Plus” duke zbuluar shumë gjëra mbi veten, karrierën dhe muzikën që bën. Thotë se fle zhveshur, kurse ‘mikeshat’ i fton tek ai, ndryshe nga dikur kur ka shkuar ky tek ato. Ka realizuar duet me Çiljetën në vitin 2017, kurse pas vetes ka shumë këngë e hite. E njohim bashkë Alores në këtë intervistë:

Ke realizuar shumë projekte deri më tani, cilin do të veçoje si më unik?
Mendoj Pop Star sepse është për ata njerëz që nuk besuan tek unë, por janë prap ata që janë të dashur me mua.

Po bën këngë të bukura që prekin tematika të ndryshme, kujt ia dedikon suksesin Alores?
Unë suksesin ia dedikoj vetes sime, sepse kush pati besim në mua, unë pata, kush nuk është dorëzuar, unë nuk u dorëzova. Më motivon vetja ime, çdo sukses ia dedikoj dhimbjes sime për ta kthyer në lumturi.

Po projekti i fundit surprizë që vjen, për cfarë bëhet fjalë, na thuaj më shumë?
Kënga ka të bëjë më shumë për hapat e mia, për njerëzit që nuk kanë besuar, është me shumë motiv për shumë njerëz, mendoj se kam bërë diçka ndryshe nga herët e tjera duke i kënduar dashurisë.

Ke deklaruar se nuk ke konkurrencë dhe atë e bën me veten, çfarë ke dashur të thuash në fakt?
Dua të them se njeriu ka dy persona: një engjëll dhe një djall në brendësi. Mos harro të fitosh njeriun e keq që të thotë gjithmonë në vesh ‘jo, nuk ke për t’ia dalë’, mendoj se kjo është ajo që tashmë unë e kam konkurruar.

Si e sheh muzikën shqiptare viteve të fundit?
Një bordello!

Sa kohë kalon zakonisht në shtrat?
8 orë.

Preferon të flesh me pizhama, të brendshme, apo…?
Preferoj të fle nudo, sepse preferoj të jem gati kur më vijnë mysafirët (qesh).

Çfarë është shtrati për ty, një përkufizim?
Varet se me kë jam…dhe pse më ka marrë malli të jem vetëm në shtrat, por lexoj.

Çfarë pozicioni preferon zakonisht për të fjetur?
Me kurriz.

Preferon të mbulohesh pak apo shumë?
Unë gjithë ditën mbuluar jam kur dal, duhet bërë pak jetë, relaks, në shtrat zbuluar ka lezet.

A flet në telefon, bën thashetheme apo biseda erotike? Çfarë?
Në telefon nuk flas shumë, nuk merrem me thashetheme.

Kur shkon zakonisht për të fjetur, çfarë bën përpara se të shtrihesh?
I them Zot faleminderit për çdo sfidë që më jep dhe unë jam gati për të zgjidhur sfidat.

Cila është gjëja e parë që bën sapo hap sytë në mëngjes?
Falenderimi ndaj Zotit!

Çfarë nuk të pëlqen kur je duke udhëtuar dhe flini në ndonjë hotel?
Hotelet i kam inat, kurse udhëtimet i kam qejf.

Të ka ndodhur të zgjohesh në shtratin e dikujt e të thuash: “Çfarë dreqin dua unë këtu?”
Më parë, pothuajse çdo natë, kurse tani i ftoj të vijnë tek unë.

Ku preferon të flesh përveç krevatit tënd, në divan apo në dhomën e prindërve?
Normal, nuk ka si krevati i prindërve./Panorama Plus